Robin Van Persi mërziti të paktën tre vetë në derbin e Stambollit mes Fenerbahçes dhe Beshiktashit. Sulmuesi holandez që shënoi golin e fitores për Fenerin, arriti të nxirrte me karton të kuq futbollistin serb të Beshiktashit, Dushan “Dushko” Toshiç, pas një rrëzimi teatral. Dy futbollistët qendruan sy ndër sy dhe Van Persi u duk se e ngacmoi me duar kundërshtarin, ndërsa ai i afroi fytyrën tek fytyra e tij. Kaq u desh që holandezi të rrëzohej “sikur ta kishte goditur rrufeja”, dhe gjyqtari i dha Toshiçit kartonin e kuq.
Gruaja e tij, një nga personazhet tipikë të pas viteve 90-të, e quajtur Jelena Karleusha (këngëtare mjaft ekstravagante), nuk mundi ta përmbante veten dhe e ofendoi rëndë Van Persin në një postim në Instagram. Më pas, ajo e fshiu statusin pas kërkesës së të shoqit, siç edhe sqaroi duke përshëndetur gjithë tifozët e Beshiktashit.
Personazhi tjetër që u ofendua nga sulmuesi holandez ishte lojtari turk po i Beshiktashit, Oguzhan Ëzjakup. Të dy lojtarët kanë qenë bashkë tek Arsenali dhe turku e quajti të tepruar dhe provokues festimin e ish-lojtarit “tulipan” pas golit të fitores. “U habita dhe u zemërova shumë nga sjellja e tij, – tha Ëzjakup, – ne nuk jemi më shokë pas kësaj”. Sfidanti.al