Vetëm dje pasdite, pikërisht pas ndeshjes së Kupës kundër Ilirisë, trajneri i Tiranës, Ze Maria, e ka kuptuar se skuadra e tij është vërtetë nën presion për ta fituar derbin e së premtes. Dikush nga gazetarët “ngatërrestarë” i bëri me dije, se Tirana e tij nuk e ka mundur Partizanin prej 13 ndeshjesh dhe për dy rivale për më shumë se shtatë dekada është vërtetë shumë. Veç të tjerash, të dy skuadrat e nisën vonë ristrukturimin, duke e injoruar emergjencën që të imponojnë objektiva e mëdha dhe në fillim u krijua përshtypja se kishin harruar në ditët e prezantimit të Tiranës dhe paraqitën atë të Kategorisë së Parë. Ambjent i vakët, mundet sërish në shtëpi nga skuadra periferike dhe mbi të gjitha e ka të vështirë të shënojë. Ndërsa Partizani si i lodhur nga ndonjë betejë dhe i lënë jashtë vëmendjes.
Por sidoqoftë tashmë gjithçka ka ndryshuar, veçse jo me të njëjtim ritëm. Skuadra e Gegës është përmirësuar javë pas jave, ndërsa në atë të fundit ndaj Flamurtarit, demostroi një provë force që duhet të ketë bërë efekt tek kundërshtarët. Ndërsa bardheblutë vijnë në derbi vetëm me një fitore ndaj Luftëtarit, edhe atë kur gjirokastritët po mendonin vetëm se si të nxirrnin nga dritarja zëvendësuesin e Hasan Likës dhe me një pjesë të parë për t’u përshëndetur në stadiumin e Korçës, ku kishte kundër edhe një arbitër të sapo dalë nga bankat e shkollës.
Ndërkohë që Ze Maria ka përdorur së fundi të shkuarën që e konsideron si avantazh, pasi ka përmendur më shumë se një herë që ai është një prej atyre që kanë luajtur derbin e Milanos, sigurisht shumë më i zhurmshëm dhe herë herë me një rivalitet ekstrem. Ky është vërtetë fat për të, por ai që do të jetë në pankinën krah tij, Skënder Gega, ka qënë në fushë mbi 20 herë pikërisht në këtë derbi që do të luhet sërish në një nga stadiumet e kryeqytetit. Megjithatë, ndoshta e sigurtë është që ia vlen të jesh present. Disa nga protagonistët do të kenë ditën e debutimit, ndërsa Tirana dhe Partizani do të jenë në fushë për të 151-ën herë.