Shefi i madh e bëri paralajmërimin. Ed Uduord, zëvendës shefi ekzekutiv i Mançester Junajtidit, deklaroi se shpenzimet e mëdha po bëhen që skuadra të fitojë trofe. “Gjithkush në klub po punon pa u lodhur që të rrisim numrin e 66 trofeve të Junajtidit dhe 25 trofeve të Zhozesë (Murinjos), – u shpreh Uduordi, – këtë kërkon historia dhe tifozët tanë”. Junajtid pati rritje të ardhurash, deri në 650 milionë euro, por edhe borderoja e rrogave pësoi rritje të ndjeshme, duke arritur në gati 300 milionë paund stërlina, apo mbi 340 milionë euro.
Murinjo është në stol në “Old Traford” që nga viti 2016, duke fituar tre trofe në sezonin e parë, Ligën e Europës, Kupën e Ligës dhe Superkupën e Anglisë, por duke mos arritur asgjë në edicionin e dytë. Rreziku është i madh, që edhe në këtë vit të mos ketë sukses, sidomos për shkak të konflikteve të trajnerit me shefin Uduord dhe me Pol Pogbanë.
Trajneri “e bëri për një lek” francezin në sy të gjithë skuadrës, pasi Pogba kritikoi publikisht taktikat e përdorura nga ai. “Ti nuk do të jesh më kurrë kapiten i kësaj skuadre, – thirri Murinjo, – pasi asnjë kapiten nuk mund të bëjë kritika publike për trajnerin”. Pogba deklaroi se Junajtidi nuk sulmoi sa duhet ndaj Uolvesit në “Old Traford”, ndeshje që doli barazim, ndërsa Murinjo deklaroi se fitorja nuk u arrit sepse disa lojtarë nuk patën dëshirën e duhur për të fituar.
Sfidanti.al