Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, nuk ngurroi aspak t’i dilte në krah yllit të tij kryesor, Lionel Mesit, që nuk shkoi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të më të mirëve nga ana e FIFA-s. “Ishte ceremonia e më të mirëve apo jo? – tha Valverde, – por, atje nuk ishte më i miri i botës. Secili ka mendimin e tij, dhe unë kam mendimin tim. Për mua, Mesi është më i miri në botë, por ai nuk ishte atje as për të konkurruar për çmimin. Natyrisht, kam respektin më të madh për Modriçin, një lojtar i madh që realizoi një vit të madh”.
Mesi mungoi në Londër, në ndarjen e çmimeve, ashtu si edhe Ronaldo, por mungesat e tyre nuk mund të jenë të krahasueshme. Argjentinasi protesoi, siç kuptohet, nga fakti që nuk u përzgjodh as në treshen finaliste, ndonëse u shpall Këpuca e Artë e ligës spanjolle, numri 1 për asiste në Ligën spanjolle, Këpuca e Artë e Europës, fitoi Ligën spanjolle, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës. Ronaldo nuk shkoi sepse kuptoi se çmimin nuk do ta fitonte ai, ndonëse u përzgjodh në treshen finaliste. Mesi e ka respektuar ceremoninë sa herë ka qenë në treshe.
Sfidanti.al