Një nga shprehjet e famshme dhe të moçme për Derbin e kryeqytetit është ngjallur, sapo Tirana ka rrëzuar tabunë e fituesit. “Për ndeshjen Derbi nuk ka nevojë për trajner sepse futbollistët e dinë se çfarë duhet të bëjnë..”. Dhe ja, pas 5 vitesh të një seriali të frikshëm humbjesh, Tirana pa trajner në stol, duke shpërfillur gjithë parashikimet pesimiste, ka triumfuar për t’i dhënë fund një diktature 5 -vjeçare në rezultat. Po nga erdhi kjo fitore e bekuar për bardheblutë ? Presidenti Halili shikon nga qielli dhe lëvdon zotin për këtë mrekulli. Presidenti që provoi humbjen e parë, Gaz Demi, praqnon se Tirana e ka meritur fitoren. Drejtori i të kuqve, Olsi Rama, qënka kapur në një pozicion të keq pas ndeshjes, në dhomën e arbitrit Enea Jorgji, duke vërtetuar se fjalët e tij “ nuk merrem me arbitrat” janë vetëm për ekrane. Kurse ish-trajneri i Kombëtares, Hafizi i zbulon rrënjët e humbjes tek frika e Partizanit në këtë ndeshje dhe tek “bamirësia” e trajnerit Lerda që la në stol dyshen Asani dhe Çinari…
Kur fiton një Derbi , meritën e marrin të gjithë, edhe ata që nuk kanë qënë në fushë. Kur humbet një Derbi, fajin e ka vetëm njëri dhe sipas zakoneve tona e pret “dënimi”. Pra, fajtor i parë, mesa duket, do të shpallet Lerda, italiani që kishte besuar se humbjen me Bylisin do ta shplante me fitoren e “sigurtë” ndaj Tiranës. Pyetja që ngacmon më shumë : pse Asani dhe Çinari, dy futbollistët më inteligjentë u injoruan tamam në ndeshjen e vitit.Dhe kur? Në një ndeshje ku për Tiranën ishin bërë gati formalitetet, të parafabrikuar ishin edhe golat që do të bënin ndaj një Tirane të “shpartalluar” nga morali, nga mungesa e trajnerit dhe nga fati tragjik që do ta priste ne Derbi…
Sfidanti.al