Trajneri Lysien Favre nuk ka shumë alternativa në prag të ndeshjes së radhës në Bundesligë. Dy prej lojtarëve të rëndësishëm të Dortmundit, si Aksel Vicel dhe Tomas Delanei, janë të dëmtuar dhe për pozicionin “numër 6” në fushë, atij i mbetet vetëm Julian Vajgl. Ai besohet se do të jetë automatikisht në fushë, por ndaj Maincit duhet të bëjë kujdes sepse ka 4 kartonë të verdhë. Nëse merr të pestin, skualifikohet për ndeshjen tjetër, dhe Dortmundi nuk do të kishte njeri të saktë për “pozicionin numër 6”, ndaj edhe gazeta “Bild” shkruan me shaka se “Vajgl duhet të luajë me frena dore”.
“Padyshim fola me të, – tha Favre, – ai duhet të luajë ashtu siç di, kuptohet. Vërtet i kërcënohet i verdhi i 5-të, por duhet të bëjë duel. Gjithsesi, bën mirë të ketë edhe pak kujdes”. Ndeshja e radhës është pikërisht ndaj rivalit për titull, Lajpcigut dhe mungesa e tij do të ishte një minus i madh për Borusian. Nëse Vajgl mungon, alternativa e vetme do të ishte “buzëqumështi” Tobias Rashl, ndërsa lojtari i rëndësishëm Julian Brant do të duhej të ndryshonte pozicion.
Sfidanti.al