Tirana është nisur drejt Izraelit ku do të luajë ndaj Makabit të Tel Avitit në Ligën e Europës. Ndërsa ngjiteshin në aeroplan dhe nisnin fluturimin, futbollistët bardheblu për pak momente ndiheshin krenarë për privilegjin e qenies pjesë e kontinentit në futbollin e klubeve, por mjaftonte një shikim poshtë nga toka e Atdheut, për ta humbur optimizmin.
Me t’u kthyer nga Europa, Tirana do të luajë në një nivel inferior të futbollit shqiptar, në Kategorinë e Parë. Kryeqytetasit do të jenë në pozitat inferiore thuajse në çdo aspekt, pasi u janë larguar futbollistë të rëndësishëm dhe kanë mbetur në dorë të të huajve dhe të të rinjve, kur dihet që në të Parën e shkelmave dhe të lojës së ashpër, të huajt nuk janë dot shpëtimtarë.
Tirana do të jetë në Kategorinë e Parë edhe për financat, me presidentin Halili që nuk pritet ta ketë të lehtë. Shpenzimet vërtet do të ulen paksa në krahasim me Superligën (por, jo për stafin teknik), por të ardhurat do të bien. Për më tepër, Tirana ka detyrime të konsiderueshme ndaj FSHF-së, e cila vë duart në kokë për vete. Presidenti Duka shqetësohet se ku do t’i gjejë paratë për të shlyer borxhet një ekip që sezonin e ardhshëm me shumë gjasa nuk do të jetë në Europë.
Edhe për Tiranën, kontinenti do të ishte burimi i vetëm i të ardhurave, por as këto që do të marrë tani, nuk do të jenë plotësisht të vetat. FSHF do të marrë pjesën e vet për të ulur borxhin bardheblu. Një fat të tillë mund të kenë edhe të ardhurat nga “Loja e Ndershme” në fushë, ku Tirana doli ekipi fitues vitin e kaluar (1.5 milionë lekë të rinj), dhe ato të fitores së Kupës së Shqipërisë (besohet 5 milionë lekë të rinj). Do të jetë vërtet një sezon inferior për Tiranën e madhe, që të paktën mund të lehtësohet vetëm duke u ngjitur majin e ardhshëm në Superiore.
Sfidanti.al