Duket se fjalët e trajnerit Mirel Josa nuk i kanë pëlqyer “perëndive të futbollit”, atë ditë kur shkeli tokën bardheblu, dhe fjalët e tij tingëlluan të besës për tifozët e Tiranës, dhe krejt ndryshe në një qytet tjetër, madje si blasfemi..në Korçë. Fjalët që u prezantua tek Tirana nuk do të harrohen kurrë në të dy qytetet: “ Kam fituar tituj me Skënderbeun, kemi bërë histori bashkë, por kënaqësia më e madhe është tani që po kthehem në shtëpinë time..bardheblu”. Një deklaratë e pazakontë për një trajner që kishte fituar tre tituj dhe që kishte besuar se kishte marrë me vete “paketën magjike” të triumfit, e cila shumë shpejt do të largonte hallet e shumta nga Tirana dhe do të rikthente lumturinë e munguar prej vitesh. Ajo që ndodhi, me siguri, do ta ketë bindur trajnerin se sëmundja e Tiranës nuk shërohet me ilaçe tradicionale,as me magji, edhe kur trajneri është djalë i vërtetë i familjes. Madje mund të thuhet me bindje se predikimi për një familje, nuk tingëllon më i besueshëm. Sidomos kur të kumbojnë akoma në vesh fjalët plot mllef të Mirelit, sapo plasi polemika me futbollistin Taku: “ Këtu jam vetëm unë zoti dhe askush tjetër nuk del mbi mua..”
Sikur Tirana të dëgjonte vetëm zërin e Josës, askush nuk dyshon se punët mund të ishin krejt ndryshe.. Vitet e fundit, edhe për meritë të presidentit Halili, ka shumë zëra që dëgjohen në klubin bardheblu, madje një trafik i trazuar , aq sa një ditë tifozët u shfaqën më të pushtetshëm edhe se vetë futbollistët. Do të kujtohet gjatë, si një skenë e padenjë në klubin ku historikisht, futbollistët dhe tifozët kanë krijuar amalgamën fituese prej vitesh. Në kohën e Ben Mingës, tifozët adhuronin “yjet” e tyre, ndërsa në kohën e presidentit Halili, askush nuk e kishte besuar se do të ishin futbollistët që do të “adhuronin” me frikë tifozët e tyre. E vërtetë e hidhur në një vend, ku topi nuk mbetet vetëm midis futbollistëve, por në lojë futet edhe “lojtari i 12-të”. Ai që është shumë i fuqishëm kur ndodhet në altarin e vet, tek shkallët, dhe tepër me rrezik kur merr një ftesë për ..lojë. Një ftesë e gabuar , që pati si finale edhe prishjen midis palëve, kur tani të divorcuar nuk bën më përshtypje as vargu i humbjeve. Madje, tek kjo e fundit në shtëpi me Vllazninë, nuk gjeje turp pas ndeshjes, por , çuditërisht, një shpresë e pandershme se “ do të fitonin Kupën për të shlyer gjithë fajet e sezonit”. Në ditët e lavdisë bardheblu, Tirana fitonte dhe për hir të tifozëve, në ditët që i ka humbur tifozët, por ka fituar “dashuri me interes” nga krerët e zyrave, shpreson se kupa do të zbrazet me..Kupën.
Sfidanti.al