“Wenger in”, “Wenger out”. Thirrjet janë diametralisht të kundërta për trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger. Nuk janë vetëm thirrje dhe banderola, por acarimi ka marrë tashmë përmasat e një “lufte civile”. Një pjesë e tifozëve janë ende me francezin, ose të paktën kundër fushatës që po bëhet për largimin e tij, 20 vjet pas ardhjes në krye të skuadrës. Përleshje ndodhën në stadium në ndeshjen Arsenal-Man. Siti, dhe disa tifozë u përjashtuan nga impianti.
Një nga objektivat e sulmit ishte një grup gazetarësh të një kanali televiziv që i përket një pjese të tifozëve. Së fundi, në “Arsenal Fan TV” u postua një video ku kërkohej dorëheqja e Vengerit dhe një grupim tjetër tifozësh i ofenduan gazetarët-tifozë dhe u përpoqën t’i godisnin. Ata e quajtën prezantuesin “jo tifoz, por të dhënë pas parave”, ndërsa deklaruan se ata do të bënin gjithçka që Arsenali të mbetej një skuadër e madhe. Londinezët barazuan 2-2 me Sitin dhe mbeten në vendin e gjashtë në Premier Ligë, duke iu rrezikuar seriozisht kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al