Tashmë ndeshja Tirana – Crvena Zvezda duket se ka filluar dhe një gjë e tillë nuk ka pse të çudisë askënd, por mënyra e zgjedhur nuk është as e përshtatshme dhe as autentike. Zyrtarisht e kemi quajtur derbi i Ballkanit, ndërkohë që na nevojitet të tregohemi shumë më modestë, ndërsa thirrjet nacionaliste të tifozëve vetëm sa acaojnë artificialisht situatën, gjë që sot absolutisht nuk na duhet. Përballë do të kemi një skuadër me shumë histori dhe që ka nxjerrë emra të mëdhenj dhe nëse ne na duhet të kalojmë turin e dytë të Champions League, serbët e kanë fituar një herë këtë kompeticion. Ndërsa thirrjet për t’u bërë therror nuk janë karakteristikë e jona dhe një gjë të tillë e kemi treguar edhe më parë. Mjafton të kujtojmë ndeshjen e përfaqësueses tonë në Beograd, ku përpara dhunës në fushë, stadiumi ushëtonte nga mallkime që na uronin vdekjen, por ndeshja e kthimit në Elbasan u luajt nën një shi të ekzagjeruar, por në një situatë normale.
Për më shumë se një arsye, Tiranës i duhet të bëj Flamurtarin e dikurshëm dhe ky do të ishte shërbimi më i mirë që do t’I bënte vetes dhe kombit. Dhe mundësitë ekzistojnë. Kjo e nesërmja do të jetë një ndeshje e vetme që do të luhet në stadiumin tonë Kombëtar dhe Crvena Zvezda e drejtuar nga Dejan Stankoviç, për nga cilësia nuk i ngjan asaj të kohës, kur trajneri i tyre ishte në fushë. Gjithashtu është një mundësi e mirë për Tiranën të rikuperojë historinë e zvenitur në dekadën e fundit, ndërkohë që një kualifikim i mundshëm do t’i shtonte ndjeshëm të ardhurat e klubit dhe do ta bënte skuadrën më të sigurtë në sezonin e ardhshëm. Dhe pikërisht këto janë arsyet, pse bardhebluve u duhet vetëm mbështetje sportive e të mos vihet nën presion artificialisht me thirrje ekstremiste…