Ka mbetur si hit shprehja e tifozëve vlonjatë “ Le ta gjuajë kopetenti”. Në kohën e artë, Vasil Ruci ishte një sulmues që nuk të falte, dhe me të drejtë, portierët e kishin shpallur si klientin që ta nxinte jetën para portës. Në ditët e sotme, Ruci, si gjithnjë me zemër të ankoruar pranë Flamurtarit, nuk e harron zakonin të “shënojë” gola, por jo të vërtetë, nga ato me këmbë. Flamurtari sapo është gjunjëzuar nga Skënderbeu, dhe ende pa zbuluar shkaqet e turperimit, Ruci ka gjetur një terapi nga ato që të çojnë në qiell. Madje në qiellin e shtatë , as më pak e as më shumë. Fjalët e Vasil Rucit meritojnë të zënë vendin që u takon në muzeun e euforisë, pa të cilin kampionati do të kishte vdekur me kohë..
“Flamurtari do të dalë kampion këtë sezon futbollistik. Kam bindjen e plotë se do të ndodhë kështu. Ky do të jetë viti i Flamurtarit. Kam shumë arsye se përse unë besoj te suksesi i ekipit tonë të zemrës këtë sezon. Por, do të theksoja se Flamurtari ka edhe diçka më tepër se rivalët, që është Ilir Daja”. Edhe sikur të kishte fituar Flamurtari me Skënderbeun, madje me lojë dhe me 3 gola dhe jo me 2 gola, rrezik nuk do të kishim fatin të dëgjonim këto fjalë me guxim pa frena.. Në kohën e lavdisë së topit, kur Ruci luante në fushë , humbjet e mëdha të ulnin kokën dhe peshqiri i lagur s’të ndahej gjithë javën, kurse në kohën e rulet-futbollit, humbjet e mëdha të japin forcë për të fituar titullin, edhe pse kampionati sapo ka belbëzuar..
Sfidanti. al