Ta gëzojmë stadiumin “Arena”!  Qënka më i bukur se i Juventusit…

Disa vite më parë, me rastin e ditlindjes së presidentit Duka, një nga futbollistët e Kombëtares pati formuluar  urimin  e pavdekshëm se ..presidenti ynë është më i bukuri ndër presidentet e botës. Tani, me rastin e ditlindjes së stadiumit të ri “ Arena Air Albania” , është vetë kryeministri Rama që thotë se  ky stadium është më i bukur se stadiumi i Juventusit. “ Inxhinieri fantastike”!  Imagjonini sikur tanët të kishin fatin të uronin stadiumin e Totenhemit, atë UFO-n  që kushtoi 1 miliardë euro,  apo stadiumin e fundit që inaguroi zoti Ceferin i UEFA-s, perlën në Budapest, një stadium që nuk pati “privilegjin” të futej  me sforco dhe me pahir mu  në mes të  qytetit . Ky i Budapestit  kishte dhe dy “mungesa” të dukshme: nuk kishte kullën e famshme  dhe kishte një faqe kallkan te stadiumit, që  sipas shefave tanë,  çmohet si  zotësi inxhinierike  sepse  kumboka zëri dhe nga 20 mijë..në stadium duken 60 mijë vetë!  Nuk thuhet se stadiumi me 20 mije vetë ngjason edhe më i vogël se ai që kishim “Qemal Stafa”… nga “magjia” që bëjnë  me biletat!

Nuk dihet se si do të kombinojnë futbollistët tanë..sot  në ndeshjen me Francën. Ishalla nuk e kanë mëndjen tek Andorra, ( sepse kur luajtën me Andorrën, mendjen e kishin tek Franca) por vetë shefat kanë dhënë shembullin se si dialogu mund t’i ngjasojë një loje me driblime dhe me finte . Një loje si ato që dimë të bëjmë ne! Ja një pjesë e “lojës” së dialogut të zotit Rama dhe presidentit Duka, në fushën e stadiumit që shkëlqen më shumë nga euforia sesa nga dritat…

 

Duka: Si ju duket fusha.. mo?

Rama: Reja tha se është më e mirë. Po është më e mirë(i drejtohet Dukës), se këtë fushë e kam bërë unë. Elbasanin e ke bërë ti.

Duka: Gjithë gjërat e mira i bën kryeministri.

Rama: T’i bëj një gol me penallti Strakoshës para se të ikim?

Duka: Strakoshës mund t’ia bësh, por Berishës jo.

Rama: Ja ku e ke(i drejtohet Berishës), nuk më ndahet.

Duka: Nuk të ka bërë gol ty?

Berisha: Më ka bërë më herët.

Ku fshihet  goli në këtë  bisedë të tipit  bilardo? Penalltitë që gjuajtën shefat edhe mund të priteshin, por fraza e presidentit Duka  ishte e pakapshme: “ Gjithë gjërat e mira i bën kryeministri..”

Sfidanti.al