Superliga sapo çohet nga gjumi i dimrit, arbitrat dhurojnë spektakël..njerëzor!

Siç thonë për ekipet që dalin në lojën e tyre nga fundi i shkurtit ose nga mesi i marsit,edhe arbitrat kanë “muajin e mjaltit”  për të dalë në lojën e tyre, që më shumë është lojë e të tjerëve. Dhe ky janar, qysh në javën e parë të rifillimit të kampionatit,  i vuri flakën atyre që predikonin  se këtë kampionat  bilbilat  nuk do të bënin “bamirësi për  kauzën e keqe”. Në 3 nga 5 ndeshjet e kësaj jave,  pra ndjeshëm më shumë se gjysma e kandarit të Superligës, ka patur polemika, akuza për protagonizëm  të njëanshëm,dhe  për  gola që vriten  me një frymë si në Gjirokastër, apo për gola që lindin në kohën e vdekur të shtesës, si ai i Tiranës me Bylisin. Interesant është fakti se duket sikur është një dorë e fshehur , që me mjeshtri  kurdis orën e gabimeve, ku përfituesit dhe të dëmtuarit shkëmbejnë rolet qysh në start…

Kishte 100 arsye Skënderbeu të festonte ringjalljen në fitoren me Partizanin, por , fill pas ndeshjes shënjeshtruan arbitrin që kishte vendosur rekord , sipas tyre, në mosdhënien e faullave për ta dhe në të kundërt për Partizanin. Sido që të ketë qënë, ajo që ndodhi në Gjirokastër , ishte krejt ndryshe dhe më flagrante. Luftëtari  nuk e mundi dot Kukësin apatik vetëm për meritë të arbitrave, ekipi me të zeza që i dha ngjyrën e vet edhe ndeshjes.  Dhe në një ditë, ku arbitrat kanë qënë “torta” e prishur e javës, si mund të shpëtonte pa mëkat ndeshja e ndezur plot nerv, Tirana – Bylis.  Goli i triumfit të Tiranës lindi me supervonesë, madje tamam-tamam në shtesën e shtesës, pasi 4 minutat u frynë dhe u u bënë 6!  Dikush  mund të thotë se shyqyr që nga “gabimi njerëzor” i Enea Jorgjit përfitoi edhe Tirana një herë,  sepse ka javë të tjera ku Jorgji mund ta shlyejë “njerëzisht” gabimin. Dhe çfarë gabimi? Të hënën, i ftuar në ekran, presidenti Kapllanaj kishte thënë: “ Shyqyr zotit, që arbitrat këtë herë nuk e kanë me të keq me ne…”

Sfidanti.al