Superliga ka marrë një shuplakë spektakolare nga “Soccervista” sajti i të dhënave të gjitha ligave të futbollit, kur ka publikuar klasifikimin e përgjithshëm për mesataren e golave për ndeshje. E dini cilin vend mban Shqipëria në këtë renditje? Më mirë të mos e dinim dhe të besonin tek gënjeshtra e fabrikuar për çdo jave nga ekrani zyrtar se “po shohim një nga kampionatet më të bukur, më me shumë rivalitet..”. Ndodhemi në vendin e 315 midis 319 shteteve dhe ky mund të jetë klasifikimi më turpërues i kampionatit, që mbron portat me aq fanatizëm, sa ka skllavëruar edhe golin. Edhe pse mund të ngushëllohemi se në këtë renditje marrin pjesë liga amatore dhe rajonale, shifra 1,65 gola për ndeshje, zbulon pa meshirë se misioni ynë më i madh është të krijojmë gardhe para portës dhe jo të ndërtojmë taktika argëtuese për të shënuar gola.
Modeli i frikës që zapton lojën, erdhi edhe në ndeshjen e fundit të rivalëve, Kukësi me Partizanin, ku barazimi u quajt një çlirim i madh (triumfues) për trajnerët, sa virusi i frikes mbërriti edhe në studiot e medias ku trajnerin Gjoka dhe Starova i uronin për barazimin “pa lëng”, sikur të kishin fituar ndeshjen e jetës. Edhe çmenduria e fundit e Barcelonës në Champions, ku bota perjetoi “apokalipsin e golave”, 6 gola në portën e Paris SG, për të cilën pati komente delirante për gjenialitetin e lojës sulmuese, tek ne, pati një shpjegim special, që spiunon fëmijerinë e futbollit tonë me çelsin e portës në qafë: “ Edhe ekipet tona të Superligës nuk do të pësonin 6 gola si Paris SG, mjaft që të bënim atë bunkerin tek porta”. Si atë ditë me Spanjën, që edhe pse nuk e kaluam vijën e mesit të fushës, na u dukën si karamele vetëm 3 gola..
Sfidanti.al