Dirk, duhet të mbrosh nderin e Drazhenit, Sabonisit e Kukoçit!

Shpesh herë jeta është fat dhe këtë duhet ta pranojë edhe një legjendë si Dirk Novicki. Gjermani 38-vjeçar u bë pjesë e historisë së madhe të NBA-së pasi kaloi kufirin mitik të 30 000 pikëve të shënuara. Basketbollisti i Dallasit ia doli pasi realizoi 25 pikë në fitoren ndaj Lejkërsit (122-111) duke i dhënë përmasat e duhura legjendës së tij.

Vetëm Karim Abdyl Xhabari, Karl Malouni, Kobi Brajanti, Majkëll Xhordani dhe Uilti Çembërleni kanë shënuar më shumë sesa ai, në mes mijëra lojtarëve që kanë shkëlqyer në parketet e NBA-së gjatë  gjithë historisë. Ai që mund ta kalojë pas disa kohës quhet Lebron Xhejms. Novicki, gjithsesi, është një superlojtar me fat. Ai mbërriti në NBA kur ishte 20 vjeç, i ardhur nga Gjermania vërtet pa traditën e madhe, por me kushte të mrekullueshme sportive. Dirk duhet të dijë të mbajë lart flamurin e Europës, duke qenë sot përfaqësuesi më i denjë i kontinentit të vjetër, por pa harruar se disa yje të tjerë thjesht nuk e patën fatin e tij.

Drazhen Petroviç, i mbiquajtur “Moxarti i basketbollit”, padyshim kishte një talent më të madh se Novicki, ishte më spektakolar dhe shënonte më shumë pikë. Kroati, për fat të keq luante në një kohë kur Europa dhe NBA ishin më larg njëra-tjetrës dhe kur “Ekipi i Ëndrrave” ende nuk ishte formuar. Drazhen shkoi në NBA vonë, 25 vjeç, dhe u nënvleftësua fillimisht, siç ndodhte me europianët. Vetëm në dy vitet e fundit ai shpërtheu tek Nju Xhersi dhe arriti mesataren 22 pikë për ndeshje, aq sa e ka Novicki në karrierë. Aksidenti dhe vdekja e parakohëshme nuk e lejoi ta shkruante të plotë historinë e tij të madhe.

Arvidas Sabonis ishte një lojtar qendër i përmasave të jashtëzakonshme. Edhe ai, për fat të keq, shkoi shumë vonë në NBA, duke qenë se luante në ish-Bashkimin Sovjetik, ku lojtarët nuk mund të largoheshin lehtë nga vendi. Me shumë dëmtime, dhe i mësuar në një nivel shumë poshtë NBA-së, lituanezi gjigand (2.23 metra shtatlartë) shkoi në Amerikë vetëm 30 vjeç. Edhe për aq, ai shkëlqeu aq shumë saqë specialitët theksuan se nëse do të kishte ardhur 20 vjeç, ai do të kishte qenë më i madh se Çarls Barkli, Dejvid Robinson, Patrik Juingu apo Shakill O’Nilli.

Pak a shumë e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Toni Kukoçin apo ndonjë superlojtar tjetër europian. Sot është më e lehtë të bëhesh i madh duke u quajtur Novicki, Gasol apo Parker.

Sfidanti.al