Champions, nuk ka asgjë të pamundur për magjistarët!

Nëse kishte një skuadër që mund ta bënte mrekullinë ndaj Paris SG, ajo ishte Barcelona. Njëlloj si Reali i frikshëm i Benhakerit të viteve 80-të, edhe formacioni i udhëhequr nga Lionel Mesi jepte besim dhe e gjithë bota përsëriste si e hipnotizuar “remuntada”. Mrekullia që kërkohej ishte tepër e madhe edhe për mjeshtrit dhe magjistarët, por ata e arritën. Diçka që nuk e kishte bërë as Barcelona më e mirë, ajo e Ronaldinjos në 2006, apo e Guardiolës në 2009 e 2011.

E gjithë bota jetoi gati 100 minuta të një deliri kolektiv, kur Barça i bëri të besonin që në fillim dhe nuk i zhgënjeu edhe kur u duk se mori fund. Shënoi fillimisht golin e parë me anë të Suarezit, kreu gjysmën e punës në gjysmën e rrugës, brenda pjesës së parë, me autogolin e Kurzavës, ndërsa në 50’, Lionel Mesi realizoi tri të katërtat e përrallës me penallti. Nuk qe e mundur më shumë se kaq. Ajo që i trembeshin katalanasit ndodhi, pasi PSG kishte aq forcë sulmuese sa, edhe i shkelur me këmbë, të shënonte një gol.

E realizoi Kavani në 62’ (u barazua me Ibrën si shënuesi më i mirë i parizienëve në Champions me 20 gola). Gjithçka u duk se u mbyll aty, pasi Barcelonës do t’i duheshin 3 gola, një shifër e lartë në 30 minuta dhe ndaj një kundërshtari tashmë me moral të lartë.

Megjithatë mrekullitë ja që ekzistojnë. Dy gola i shënoi Nejmari, dhe Barça nuk hoqi dorë në minutat shtesë. Të fundit, atë vendimtarin e dërgoi në rrjetë Sergi Roberto dhe Barcelona realizoi përmbysjen më të madhe në historinë e  Ligës së Kampionëve dhe ndoshta në historinë e kupave të Europës.

Po katër gola shënoi edhe skuadra tjetër shtëpiake, Borusia e Dortmundit, që eleminoi Benfikën pas fitores 4-0. Përballja e parë në Lisbonë kishte përfunduar 1-0 për portugezët, që luajtën shumë fort, por nuk ditën të shënonin. Skuadra e re gjermane, e bëri ajo mrekullinë e saj, duke e lumturuar trajnerin Tomas Tuhel. Obamejang ishte heroi me 3 gola, ndërsa një rrjetë e realizoi Pulishiç.

Sfidanti.al

barcelona psg 6-1barcelona psg 6-1 goli i fundit1mesi suarez psg