Zhoze Murinjo ishte fillimisht i shqetësuar nga udhëtimi i gjatë nga Mançesteri për në Rostov, por ky shqetësim iu kthye në dytësor kur mbërriti në qytetin rus dhe shkeli në fushën e stadiumit ku do të luhet ndeshja e nesërme. Pavarësisht se bëhet fjalë për një klub që ka financa të fuqishme, që luan në Premier Ligën e Rusisë dhe që është në turin e tretë të Ligës së Europës, sërish fusha e stadiumit ishte për të qarë hallin.
“Më duket si fusha e Pekinit, – tha Murinjo në konferencën për shtyp, – më duket e vështirë të besoj se do të luajmë në këtë fushë. Unë e di se do të luajmë, por nuk e di sesi do t’ia dalim të luajmë në këtë fushë, nëse kjo mund të quhet fushë futbolli”. Më tej, portugezi sqaroi se përse e bëri krahasimin me Pekinin. “Ne duhej të luanim në verë në një fushë të tillë në Pekin, por së bashku me Mançester Sitin e anuluam miqësoren, ndërsa mesa duket këtë herë do të luajmë”, – tha ai. Delegati i UEFA-s i mjaftua t’i thotë trajnerit të Junajtidit se “skuadra juaj është e siguruar sido që të ndodhë”. Gjithsesi, nëse lojtarët dëmtohen apo nëse humbet ndeshja, sigurimet për futbollistët janë gjëra dytësore.
Sfidanti.al