Sherr tek Arsenali? Ualkot pranon se “diçka ka ndodhur”!

Diçka ka ndodhur në skuadrën e Arsenalit dhe, siç pritej, i përfshirë ka qenë Aleksis Sançez. Historitë kanë ndodhur përpara disfatës dërrmuese në Champions ndaj Bajernit, por mediat arritën t’i “nuhasnin” vetëm pas takimit. Teo Ualkot, shënuesi i golit të vetëm në “Emirejts” të martën në mbrëmje, pohoi këtë “diçka”, edhe pse nuk dha asnjë hollësi, ndërsa bëhet fjalë për konflikt që ka ndodhur disa herë dhe që ka përfshirë disa lojtarë në një krah, dhe Sançezin në krahun tjetër.

Sulmuesi kilen, sipas gazetave, sulmoi shokët e skuadrës pas humbjes së thellë në Mynih me Bajernin, braktisi seancën stërvitore më pas dhe që nga ajo kohë është distancuar gjithnjë e më shumë nga skuadra. “Gjërat ndonjëherë dalin nga kontrolli, – tha Ualkot, – ne e dimë. Janë disa gjëra që ndonjëherë ndodhin në fushën e stërvitjes. Unë jam i bindur se këto ndodhin në çdo skuadër, por nuk është koha që ne të zihemi me njëri-tjetrin, ndërsa jemi në krizë”.

Arsen Venger i ka hedhur poshtë këto lajme, ndërsa pritet që trajneri francez të largohet në fund të sezonit, ashtu siç mund të bëjë edhe Sançez, që ka oferta nga Kina, por që besohet pëlqehet edhe nga Juventusi.

Sfidanti.al