Prej javësh është kthyer në një “sekret të hapur”, në një enigmë që e dinë të gjithë, ndërsa emri mbetet sërish pompoz, SUPERLIGA SHQIPTARE. Shumica e shqiptarëve, edhe ata që nuk luajnë skedina, po vrapojnë për të vënë bastin e sigurt, atë që Kamza do të bjerë nga kategoria, dhe me këtë rast do të fitojnë ndonjë lek, diçka që gjithnjë hyn në punë.
Nëse krahason numrin e atyre që duan të luajnë në loto ndeshjet e Superligës, me ata që duan të shkojnë në stadium për t’i parë, sheh që të parët kanë epërsi dërrmuese. Me turp janë bërë të gjithë, që nga më të fortët që po “hanë dru vendçe”, e deri tek më të dobëtit që shikojnë majtas-djathtas, se nga vjen oferta më e mirë. Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Laçi, Teuta, Flamurtari, Vllaznia, Lushnja, po përmendim shumicën, për të mos i bërë bashkë të gjithë. Për ta besuar edhe ata që nuk duan, mjafton të bëhet një kolazh me reagimin e tifozëve.
Natyrisht, këta sot mund të ndihen pak më të qetë sepse teatri i sotëm nuk i afrohet atij që bëri Dinamo kampione e vitit 2010, apo estradës që u luajt në garën për titull të 2011-ës mes Skënderbeut e Flamurtarit. Pra, do të thoshin, “kemi një përmirësim dhe do të vazhdojmë të përmirësohemi”.
Sidoqoftë, Superliga është “me biografi” të keqe, edhe për këta që janë sot pjesë e saj, edhe për skuadrën e madhe që pritet të vijë sezonin e ardhshëm. Tirana ngjitet në elitë, me bilancet skandaloze, me borxhe e me bllokim llogarish bankare, dhe me gjyqe radhazi, një realitet që duket virtual, por që është ai i vërteti, i sendërtuari.
A meriton pra kjo Ligë të quhet Super?
Sfidanti.al