Ç‘nuk do të jepnim në këto momente të dinim se çfarë po ndodh brenda topit në Shkodër, tamam tamam çfarë gjelle e prishur po gatuhet tek “kazani i Vllaznisë” këto javë! Paska qënë skenar i “goditur” largimi i trajnerit Berdariç, në emër të ardhmërisë së klubit. Si mundet një ekip që në ditët e bukura të zaptojë kurorën e bukurisë për hijeshinë në shtrimin e lojës, dhe më pas, në ditët më të këqia, të katandiset që të largojë,edhe më shpejt se Covidi, tifozët më të zjarrtë nga stadiumi “Loro Boriçi”.
Sa ironike për ata 500 apo më shumë tifozë trima dhe rebelë , që kur ishte kulmi i kulmit të epidemisë sakrifikonin jetën e tyre dhe të familjes për të mos lënë vetëm ekipin. Tani është Vllaznia që i ka lënë vetëm dhe kjo gjë ndodh per shkak te një epidemia tjetër, që askush tjetër nuk e njeh më mirë se ne…….
Në stadium u pa një parrullë me gërma të mëdha : “Stop luftës, stop VAR-it”, por duhet të kishte edhe një stop të tretë : stop tradhëtisë! Paska qënë profet ai shkodrani i thekur pas futbollit që paralajmëroi me zemër të thyer: “ Pësuam 3 gola nga Egnatia , përjetuam vdekjen morale të Vllaznisë, por prisni se do të ndodhin histori të tjera!” Dhe historia tjetër nuk vonoi, edhe pse më e rafinuar se dorëzimi me Egnatian. KJo kundër Kastriotit, as nuk ka pikë dyzimi, se skenari i lojës ishte disi më i rafinuar : Vllaznia u bë e gjallë për 45 minuta, për të “vdekur” në pjesën e dytë, në atë pjesë ku Latifët me shokë..driblonin veten e tyre dhe jo kundershtarin!
Sfidanti.al