Ishte një spektakël i bukur me drita në stadiumin “Arena”, por , sapo filloi ndeshja, Franca na ka fikur dritat e lojës , madje qysh në fillim, duke e zaptuar topin dhe fushën me një autoritet të skajshëm. Ndërkohë, Kombëtares sonë i mbetej të rivendoste plisat e fushësh që shkëputeshin nga tapeti i blertë. A mund të thuhet se ishim me fat që morëm vetëm 2 gola nga Franca, apo ishim të pafat se nuk mund të mbanin dot dy kunguj në një sqetull..edhe peshën e stadiumit të ri , edhe peshën e kampionëve të Botës. Kjo Kombëtare, e cila ka treguar me vepra se është e pazonja për të patur një kartë identiteti në lojë, ka një veti që nuk është në favorin tonë: ska frikë të gënjejë veten, por edhe ne.. pas ndeshjes. Trajneri Reja, ai që duhet të ishte më i besuari, sepse po e quajmë “debutues” në lojën e karakterit, paska thënë se ..po të vinte këmbë më shpejt tek ne, Franca nuk do të bënte dasëm, duke na prishur dasmën tonë..
Të gjithë trajnerët e huaj, sidomos ata që kemi provuar,edhe pse i kemi paguar shumë shtrenjtë për këtë përrallën tonë me top, sikur të jenë marrë vesh me njëri –tjetrin, na kanë futur në një epruvetë të madhe dhe eksperimenti s’mbaroka kurrë. Ky i fundit, zoti Reja, me gjithë respektin për përvojën e tij, në dy ndeshjet me Francën , ka gjetur çastin ideal për të bërë prova me “qenin e Pavllovit”. Në ndeshjen e parë, Roshi u trukua si mbrojtës, për të marrë gjithë peshën e humbjes, kurse në të dytën, Reja , i vetëm kundër rrjedhës, Roshin dhe Memushajn i fut në pjesën e dytë, kur i vdekuri hapi sytë. Edhe fjalët e Gjasulës, fill pas ndeshjes, e ilustronin më qartë krizën e ndeshjes së fundit : “ Ne qëndronim larg njëri- tjetrit dhe ishim të vonuar në kohë për t’i bërë ballë francezëve..”
Sfidanti.al