Neymar shqetëson Brazilin, dëmtimi mund të jetë më serioz

Shqetësim i madh rreth gjendjes fizike të Neymar-it, pasi dëmtimi i tij i fundit rezulton të jetë më serioz sesa ishte komunikuar fillimisht nga klubi Santos. ‘Ylli’ brazilian, 34 vjeç, u detyrua të mungonte në ndeshjen ndaj San Lorenzo-s në Copa Sudamericana, e cila përfundoi 2-2, pasi u ndie keq para sfidës për shkak të një edema në pulpën e këmbës së djathtë. Sipas raportimeve të fundit, dëmtimi i tij mund të kërkojë më shumë kohë rikuperimi sesa ishte parashikuar fillimisht. Fillimisht u raportua se Neymar mund të rikthehej shumë shpejt, madje edhe për ndeshjet e ardhshme, por tani situata është më e pasigurt.

Stafi mjekësor i kombëtares së Brazili pritet të vlerësojë gjendjen e tij duke filluar nga data 27 maj, kur lojtari duhet t’i bashkohet grumbullimit për Kupën e Botës 2026. Trajneri i Santos-it, Cuca, ka deklaruar se situata e lojtarit është e ndërlikuar dhe se klubi nuk mund të japë një afat të saktë rikthimi. Sipas tij, gjithçka varet nga vlerësimi mjekësor dhe gjendja fizike e Neymarit. “Është e vështirë të thuhet diçka e saktë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Nëse është mirë nga ana klinike, do të jetë në dispozicion”, u shpreh ai.

sfidanti.al