Skënderbe, tregohu nikoqir në Elbasan, jepu miqve “akullore dhe byrek”

Ju kujtohet ajo parodia komike e tifozëve vlonjatë që një herë këndonin në kor duke sharë Vasil Rucin, ndërsa në fund të ndeshjes, e lëvdonin në kor dhe shanin veten, ngaqë “Cilja” e kishte lagur.. rrjetën. Edhe në rastin e Skënderbeut, i fundit i “mohikanëve” i mbetur në Europë, kur do të luajë sot në mbrëmje kundër krotaëve të Dinamos së Zagrebit, e kemi pësuar si vlonjatët e atëhershëm. Nuk dëgjon më sharje dhe dyshime si më parë, madje  s’na bëhet vonë fare kur i themi qytetit të Korçës se Skënderebu nuk është vetëm i yti, pasi e gjithë Shqipëria i ka sytë dhe veshët, mos flasim për zemrën,  në Arenën e Elbasanit.  Kemi shtyrë gjithë verën duke ndjekur korçarët, bile kemi shpresë të ndezim sobën duke ndjekur aventurën e tij.  Një aventurë që është bërë kaq e bukur edhe për zyrtarët tanë, sa kanë harruar të fillojnë kampionatin, kryekëput ndryshe nga gjithë Europa e Bota mbarë..

Le të bëjmë një kompromis para ndeshjes, nga ato që nuk e kemi për zakon. Edhe sikur të mos ia dalim sot në mbrëmje, s’duhet të ngremë flamurin e zhgënjimit, s’kemi gojë e as moral të shtiremi sikur e kishim lexuar fundin e filxhanit. Është fat për ne,që në këto momente, kroatët po flasin më shumë, pale trajneri i tyre Cetanovic  ngjan si “ i dënuari i madh” kur thotë se “do të kualifikohemi edhe pse me mundim dhe vuajtje”. Edhe kompanitë e basteve kanë krijuar trillin e radhës kur si favorit japin Dinamon e atyre dhe jo Skënderbeun tonë. Është “ndihmë” e padukshme, kur edhe shifrat flasin keq para ndeshjes, ndërsa futbolli ka gjuhë tjetër në fund të ndeshjes. Këtë e dinë të gjithë, dhe ai gazetari kroat  që meritoi faljen, pasi nuk besonte se fituesit në fushë mund të  kenë lidhje gjaku me  brezat e mëparshëm, ië cilët ishin  mjeshtra për akullore dhe për shijen e byrekut. Nuk i keni provuar ndonjehere? Skënderbe, si ekip i zemrës së qytetit nikoqir, jepu miqve “një akullore dhe një byrek”..

Sfidanti.al