Xhejms Vardi te Celsi, Mirror mos na bëj ..terror!

Celsi po përgatit një ofertë të papritur për sulmuesin e Lester Sitit, Xhejms Vardi, njofton gazeta britanike “Mirror”, duke shtuar se trajneri Antonio Konte, krahas Alvaro Moratës, do që të të ketë në radhët e veta edhe sulmuesin më të mirë të dhelprave në sezonin 2015/16 dhe kjo duket një zgjidhje ideale për trajnerin italian që është gati të japë 35 milionë sterlina për sulmuesin këmbëshpejtë të Lesterit. Krahas Vardit, kampioni aktual anglez bëri përpjekje që të sillte në “Stemford Brixh” edhe një bashkëlojtar tjetër të Vardit të Lesteri, Deni Drinkuoterin 30-vjeçar. “Blutë” e Londrës, njëherë, e “kanë dëmtuar” Lesterin, kur morën nga ai mesfushorin mjaft efikas dhe lojtarin më të mirë të sezonit, kur Celsi doli kampion, Ngolo Kante.

Starti i Celsit në këtë Premier Ligë nuk ishte fort i mirë, pasi ai humbi papritur 2-3 ndeshjen e parë, në fushën e vet, ndaj Barnlit autsajder, ndërkohë që edhe në ndeshjen pasardhëse, të cilën Celsi, në fakt, e fitoi 2-1, jashtë fushës së vet, ndaj Totenhemit, u ndje mungesa e një force goditëse në sulm. Duket qartë se Konte nuk mund të mbështetet vetem te Morata dhe Batshuaji.

Sfidanti.al