Sikur Bylisi  të pyeste: “ Po ky arbitri Koçi, punon tek Kukësi?”

E kishin pyetur në koifidencë një president të Superligës:  cilin futbollist të botës do të merrje në ekipin tënd.. për t’i bërë gjërat më të lehta.  Përgjigja kishte qënë  si një rofeshatë plot befasi , aq sa dhe  “muzeu i batutave” ,  menjëherë,  kishte hapur kanatet: “ Do të kisha dashur të blija një arbitër të besës, më shumë se sa një futbollist të talentuar”.  Dhe në Superligë, pa pikën e dyshimit, bomberi  i vërtetë nuk del nga loja e sulmit, por del nga notat e muzikës së bilbilit. Një muzikë që ndryshon sipas një orkestrimi mjeshtëror, ku një herë të tingëllon  si muzikë  dasme , me të cilën fillon e kërcen, herën tjetër si muzikë funebre.

Për ta ilustruar me raste flagrante, Superliga është një minierë që nuk shteron kurrë, por le të mbetemi në javët e fundit.  Akoma na kumbon në  vesh zëri alarmues  i presidentit Gjici, tamam pas ndeshjes me Laçin, kur hodhi dorashkën “kundër”  sistemit: “ Meta  punon për Laçin dhe është një palo arbitër”.  Sikur këtë frazë ta kishte thënë një president tjetër, nga ata që s’ kanë fuqi  të ndërtojnë stadiume bashkë me FSHF-në, kushedi ç‘lloj ndëshkimi do të shpikej. Safeti është ndryshe, dhe veç talentit në protagonizëm,  ka zotësinë e madhe që të diktojë  lojën e tij në media, sidomos kur në fushë mungon loja e futbollistëve. ..

Dhe kur të damkos Safeti,thonë se  ndryshon qëndrim edhe “mbreti”!  Ajo që ndodhi në Laç ndaj Kukësit nuk paska qënë gjë, madje mund të konsiderohet si alibi, në krahasim me atë që do të vinte në ndeshjen ndaj Bylisit.  Një penallti e shpikur nga hiçi  nga arbitri Andi Koçi në favor të Kukësit, e cila kalon pa bujë, dhe një penallti për Bylisin, që nuk jepet në fushë, por as nga ata që përdorin  lupën në ekran. Bylisi mund të bërtasë me të drejtën e zotit  “ prapë unë usta”, por  presidenti i Bylisit, Kapllanaj,i cili  ngjan vetëm nga pamja me vëllain ish-president, por jo nga rebelimi, ka humbur shansin e madh për të pyetur edhe ai si Gjici: “ Ky  Meta punonte tek Laçi, po ky Andi Koci..mos vallë punon  tek Kukësi”?

Ka arbitra që janë të “besës” dhe kanë krijuar lidhje të hershme me klubet, por nga ka edhe nga ata që pagëzohen  “palo arbitër”  për shkak të zotësisë së tyre për ta ndryshuar shpesh “vendin e punës”. Vetëm mos harroni: shefi i kuadrit  mbetet  në FSHF.  Qoft i gabuar “studimi”, por thuhet se sa më i pazot  të jetë arbitri, aq më shumë zhytet thellë  tek çorba  e një ekipi. Për fatin tonë të keq, këtë e dinë (dhe e duan) edhe fëmijët  e futbollit,  kur u thonë baballarëve që të kenë një xhaxhi arbitër si..kumbar për ndeshjet!

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport