Asnjëherë një skuadër nuk kishte dalë në Serinë A më shpejt se kaq. Duhen edhe 7 javë deri në përfundim të Serisë B, por Benevento e preu biletën për në elitë, duke bërë një rikthim të shpejtë. Këtë herë në stol një Inzagi, por jo Simone që është tek Lacio, veçse SuperPipo. Ish-sulmuesi i Juventusit dhe i Milanit drejtoi skuadrën modeste nga Kampana (“motër e vogël” e Napolit) në një arritje që barazoi rekordin e Askolit të 1978-ës. Kjo, pas fitores 1-0 në stadiumin “Vigorito” ndaj Juve Stabias, ndërsa Peruxha u mund nga Çitadela, dhe Krotone u ndal pikërisht nga Askoli.
“Jam shumë i lumtur me djemtë e mi, – tha Inzagi, – ata më dhanë kënaqësi të madhe, ndërsa unë i kam mërzitur sepse u rri te koka si çekiç, diçka e pabesueshme. Rekordi i Askolit ishte i madh, jo më kot rezistoi kaq gjatë. Do të më kishte pëlqyer të kishim pasur skenar më të mirë, me tifozë, por edhe kështu jemi mirë”.
Sfidanti.al