Si dikur radha e qumështit, Sistemi ka krijuar radhën e ..titullit kampion

Fjalët e presidentit të Kukësit, Safet Gjici, nuk i merr dot as era, sidomos kur janë për Partizanit, sepse ato kanë shumë helm. Ka thënë shumë batuta provokuese numri 1 i Kukësit gjatë këtij sezoni, sidomos kur u pa qartë se “toreadori nuk e vrau dot demin” kur ndeshen në fushë. Fraza e fundit që ka thënë Gjici duket si një thikë që shkon deri në kockë: “ Partizani nuk është as për vëndin e katërt!” Dhe në një sezon që të kuqtë kanë premtuar para “djallit” fuqiplot se do të merren vetëm me fushën e topit dhe jo me betejën e fjalëve, ky sezon që ata diktuan në fushë, është tejet ideal për tu përgojuar nga rivalet..
Ndaj, po të kthesh kokën pas, në frazat më të spikatura të Safetit kundër Partizanit, seriali fillon me një pikante : “ Iku Moxhi i Italisë, por Partizani ka Moxhin shqiptar ..”( aludimi ishte për Olsi Ramën). Më pas doli në qarkullim “vepra” që u shit me nje frymë në tregun e Superligës “ Gjunjët e Partizanit do t’i shohim në muajin mars!” Por, kur gjunjët dolën se ishin të fortë dhe me to mund të ngjitesh deri në altarin e titullit, presidenti Gjici ka lëshuar “bombën” e fundit se Partizani nuk qënka as për vendin e katërt! Trajneri Gega, sado i ekulibruar, por dhe i shtrënguar nga shefat që të mos nxjerrë gjuhën jashtë dhëmbëve , mund të kishte gjetur një reagim me më bindës se ky: “ Një vit më parë, kur Kukësi doli kampion, cili i mori gjynahet e Partizanit ..?” Më e bukura është se Kukësi dhe Partizani, edhe të tjerët, e dinë më mirë se kushdo se loja për titull është një ringjallje për kohët e kaluara, kur njerëzit mbanin radhë për qumësht. Edhe sot, sistemi që ka lindur i dështuar për të bërë garë natyrale ,, i ka vënë në radhë ekipet për të “pirë” qumështin e titullit..

Sfidanti.al