Shqipëri, një mësim nga Italia, çfarë dënimi për Zaniolon e Keanin!

Kristian Panuçi ndoshta nuk ishte trajneri i duhur për Shqipërinë, por kur vinte puna tek disiplina, ai kishte të drejtë. Përtej sjelljes konfliktuale dhe thuajse gjithnjë të acaruar nga nervat, italiani dukej krejtësisht në të drejtën e tij për rastet e shkeljeve të orareve nga ndonjë lojtar kuqezi, dhe vendimet e tij nuk do të ishin pritur me habi nga trajneri i Italisë U21, Luixhi Di Biaxho.

Ky i fundit nuk ia përtoi shumë dy prej yjeve të rinj të skuadrës, Nikolo Zaniolo dhe Moize Kean, të cilët shkuan me vonesë në stërvitjen e mëngjesit në ekipin Shpresa. Lojtari i Romës dhe ai i Juves kërkuan falje, por kjo nuk mjaftoi, pasi trajneri e përjashtoi Keanin nga formacioni ndaj Belgjikës (fitore 3-1), ndërsa Zaniolo ishte i pezulluar. Nuk ishte zgjedhje e lehtë, pasi të dy ishin paraqitur shumë mirë ndaj Spanjës apo edhe Polonisë, veçse Di Biaxho nuk toleroi.

Edhe pas përjashtimit, mediat italiane theksojnë se grupi i lojtarëve vazhdon të ketë antipati për dyshen që ndan të njëjtën dhomë. Për më tepër, një natë më parë Zaniolo kishte hedhur në Instagram foto të shokut të tij, Kean, që kërcente, me diçiturën “që sonte nuk do jem më vonë”. Kjo u duk si tallje. Vetë Kean është dënuar një herë më parë në Italinë U19. Mediat shkruajnë se për ta Europiani U21 ka marrë fund, ndërsa nuk dihet e ardhmja në kombëtaren e të rriturve të Mançinit.

Sfidanti.al