Gilman Lika nuk e shpëtoi dot Vllazninë në momentin më dramatik, por askush nuk e ndalon të paktën të shpëtojë ndërgjegjen nga një fajësi historike, për të cilën fajtorët bio kanë privilegjin të mbeten anonimë. Edhe pse duket si një intervistë me zemër të plagosur, si një rrëfim në “kishën e mëkatit”, Lika nuk e çon dot deri në fund shigjetën e kurajës për të zbuluar publikisht, se cilët e kurdisën orën e keqe në prapaskenë, pas dështimit të spikatur teknik dhe moral të futbollistëve.Pse shpërfillet apo harrohet edhe lidhja “konspirative” me të fortët e zyrave të FSHF-së…?
“Kam ndenjur qëllimisht një kohë të gjatë pa folur dhe gjatë kësaj periudhe çfarë nuk kam dëgjuar. Dikush me të drejtë dhe dikush pa të drejtë, kanë folur gjithçka. Unë do të them ashtu sipas meje si është e vërteta. Për të folur për arsyet, ato janë të shumta dhe tepër komplekse, duhet javë që të flasim dhe sërish gjejmë të tjera. Përgjegjësia është e të gjithëve. Por, unë do të nis nga ata që kanë më pak përgjegjësi. Dua që ta nis me tifozët. Të gjithë mund të pyesin se çfarë përgjegjësie kanë ata?!
Por, unë do të them se tifozët nuk kanë shumë faj, por kanë përgjegjësinë e tyre. Ata nuk na kanë mbështetur në asnjë ndeshje. Me përjashtim të sfidës me Kamzën që na kanë mbështetur, në të gjithë takimet e tjera edhe kur kanë qenë të pranishëm, më shumë na kanë sharë dhe janë marrë me ne sesa na kanë mbështetur. Ne kishim nevojë për ta. Ata, gjithsesi kanë shumë pak përgjegjësi. Të dytët janë drejtuesit që kanë pasur pjesën e tyre të fajit. Ekipi e ka nisur kampionatin me vetëm një javë fazë përgatitore, që për mua është skandal. Kjo është arsyeja që në fazën e parë kemi marrë vetëm 5 pikë. Por, kjo nuk është sërish kryesorja. Njerëz shumë të fuqishëm në Shkodër kanë punuar shumë për të rënë Vllaznia.
Nuk e di cili është interesi i tyre, por për këtë jam 100 për qind i bindur. Faji kryesor është i yni dhe i stafit që na kanë drejtuar ne. Askush nuk mundet ta justifikojë sadopak këtë gjë. Nuk ka asnjë lloj justifikimi. Edhe në këtë pjesë ne do të themi se kemi humbur tetë ndeshje, pra 24 pikë nga gafa personale të njërit apo të tjetrit. Kjo është e pajustifikueshme”.