Debati i djeshëm televiziv midis presidentit të përhershëm të FSHF Duka dhe kandidatit Fino shëmbëlleu si një skenë frike. Kanali i mirënjohur televiziv që e organizoi u kap ne befasi sepse në fillim të emisionit duhet të kishte bërë patjetër njoftimin e nevojshëm për prindërit. Mirëpo, përveç të vegjëlve, emisioni shkaktoi shqetësime dhe ndër shumë disi të rritur, gazetarë sportive dhe jo sportive, anëtarë të klubit “Po ku ka si Armando”. Sipas disa dëshmitarëve shumë syresh kishin mbuluar fytyrat me duar dhe shikonin përmes gishtërinjve se si binin njëra pas tjetrës copat e “suvasë” së presidentit legjendar, yll i pashuar i Europianit.
Për çudinë e madhe të audiences, fituesi i “sigurte” i zgjedhjeve deri ne vitin 2030 kësaj radhe u dëgjua të belbëzojë i ndrojtur për tavlla apo për njerëzit që zoti Fino paskësh vrarë në vitin e largët 1997. Kjo e fundit me siguri që ka lënë pa gjumë më pas kategorinë e historianëve të cilëve s’u ka kuadruar ende numri i te vrarëve të asaj kohe por që tani Mandi ju shtroi përpara një pistë të re e të sigurtë për studime dhe hulumtime të metejëshme.
Më pas, ca imagjinarë të zhvilluar thanë që në fund të debatit presidenti kishte marrë pamjen e një posteri elektoral të sflitur. Po edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, ku qëndron problemi?! Cudia më e madhe tek ne dihet që zgjat vetëm 3 ditë ndërkohë që deri në zgjedhje kemi edhe 6. Paska kohe bile per t’u grisur edhe një herë tjetër deri në zgjedhje.
Në asamble s’ka më debate e më the të thashë, atje votohet vëlla! Dhe skenaristet kane menduar për të gjitha. Bile ca klubeve me mangësi në burimet njerëzore ju ka dhënë “hua” për të votuar ekspertë zgjedhjesh që njihen për përvojën në “mbarëvajtje” zgjedhjesh.
Le të thonë c’të duan nëpër debate. Eshtë i vendosur që duke e lexuar drejt vullnetin e popullit martir të futbollit, të zgjidhet president dhe për katër vitet që vijnë e kështu me radhë. I grisur apo i pagrisur, me të nuk bëhet shaka o mik! Futbolli është “tok e xanun” legalizimin e të cilës ka për detyrë ta bëjë herë pas here asambleja. I vetmi problem që duket në horizont këtë radhë është se ditën e Asamblesë parashikohet të bjerë shi. A do të ketë çadra për të gjithë votuesit ,…
Edin Dani