Ishte apo ç‘ishte ajo humbja flakëruese me 5 gola në Gjirokastër! Një humbje nga ato që qan më shumë për të madhin sesa gëzohesh për tërbimin e më të voglit. Një shpërfytyrim nga ato që sipas zakonit shqiptar, në vend të veshës rrobat e festës kur një ekip i vogël poshtëron një ekip të madh në histori e jo në fushë, qajmë apo dyshojmë se çfarë ndodhi me “demat” që u trukuan si lepuj, mu në prag të Vitit të Ri. Edhe pse në mënynë e 5 golave kishte nga të tëra shijet, nga ato që të lënë me gojë hapur si goli marshues i Abazajt , apo nga ata që të mpijnë mendjen apo të fyejnë inteligjencën, siç ndodhi tek skena e golit të tretë, ku porta e kuqe ngjante me portën e ferrit, më shumë kujtohet ky i fundit. Në futbollin ky dyshimi është kultura dominuese, goli i keq vlen më shumë se goli i bukur! Dhe ky gol i keq, pra goli i tretë, sepse na dërgon në të kaluarën, në një betejë me topa që marrin jetë dhe jo me topa që në gënjejnë, ku palët armike ngatërruan rolin kur në ajër u hodh një helm kimik. Efekti ishte magjik: Të humburit kujtonin se ishin fitues, kurse fituesit silleshin si humbës. Edhe goli i tretë, po ta kujtoni skenën “madhore” , dukej sikur Luftëtari po mbronte portën e Partizanit, kurse Partizanit i dukej sikur ishte porta e gjirokastritëve…
Do të mbahet mend gjatë kjo ndeshje, më shumë se e famshmja me 5 gola e ekipit të Brahos dhe Seitit kur skuqen Partizanin e vërtetë, atë brez futbollistësh, që kur pësonin gola u dukej sikur merrnin thika, ndryshe nga të sotmit, apo të asaj ditë hokubet, ku disa u kapën me kamera duke kthyer kokën për parë “gallatë”me stolin apo tribunën. Do të mbahet mend më gjatë humbja me 5 gola e Partizanit, sesa fitorja me 5 gola e Luftëtarit edhe për arsyen “shkencore” sepse të mëdhenjtë kur tradhëtojnë historinë e tyre, ky marifet ndez më shumë imagjinatën zyrtare .Sepse kjo djallëzi i shkon më shumë skenarit ku trazohen me ‘krenari” rezulatet, aq sa po bëhet një spot-hit se Superliga nuk ka besë, ndaj edhe ka aq shumë fitore jashtë fushe. Dhe aty ku nuk ka besë, pretendohet se luhet futbolli intrigë, aq intrigë sa për të përzënë edhe popullin tij nga shkallët e stadiumit.
Sfidanti.al