Sa muzikë e njohur: të gjithë qahen për arbitrat, kampionët  “vdesin” për ta!

Rrota e fatit kurdiset me “dorën e djallit”, sapo flitet për arbitrat që dalldisin ndeshjet e  Superligës. Dhe sipas zakonit të vjetër, lulëzimi i të cilit lidhet me këto 20 vitet e fundit, të gjithë ekipet qahen për arbitrat, me përjashtim të  ekipit që është bekuar nga “kryezoti i FSHF-së”  për të dalë kampion. Kukësi dhe Gjici, ata  që thanë me zë të lartë se Kridenc Meta  u tregua një “palo arbitër” për ndeshjen në Laç , apo akuza e thekur   se “punon për Laçin”,  nuk mbajnë mend fare, as  kohën e artë kur arbitrat i trajtonin si engjëj vitin që u shpallën kampion. Të gjithë ekipet që nisen për t’u ngjitur në altar, e kanë të detyrueshme të ..harrojnë! Kujtoni kohën e Skënderbeut dhe arbitrat që i shkonin nga pas si dele,  për të mos harruar kulmin historik tek titulli i Kukësit, kur Enea Jorgji  tundi dheun e futbollit me gafat e tij, duke i vënë damkën se arbitrat, qofshin me stemë apo pa stemë, janë si kukulla që kurdisen sipas një programi… Mos flasim për një vit me parë, kur edhe klubit më rebel, Partgizanit, i qepën gojën në mënyrë..kampione!

Dikush paska thënë me indinjatë se mund të gabojnë sa të duan, kudo dhe kurdo, veç në Shkodrën e vendlindjes së futbollit s’mund ta baltosin lojën  me një bilbil të plagosur! Pak a shumë, dikushi  paska qënë në sikron me kapitenin e Vllaznisë, Gilman Lika, i cili  nuk kërkon ndëshkim për fajtorët që shfryjnë topin javë për javë, por pretendon një “amnisti” kur thotë: “ Federata dhe Jorgji të na kërkojnë falje!” Sikur të kishim një kishë për futbollin, ku FSHF , Jorgji dhe Jorgjet e tjerë të kërkonin falje për “vrasjet me bilbil”, rrëfimi nuk do të mbaronte dot kurrë. Një rrëfim që bëhet unikal dhe fiton damkë me fjalët hit të  një arbitri, që e kishin pyetur miqtë pse gabon kaq shpesh: “  Të gjithë arbitrat janë të zot për ta mbajtur ndeshjen drejt, por puna është ta mbash siç e duan ..shefat!”

Sfidanti.al