PSG, mirë që grumbullove ekipin që pikase koronavirusin!

Sapo kishin fërkuar duart e kishin dhënë një lajm të mirë. Tek Paris SG, drejtori Leonardo kishte bërtitur me të madhe, që ta merrnin vesh të gjithë, se 4 lojtarë kishin rinovuar kontratën me 2 muaj, për të ndihmuar ekipin në Champions. Këta ishin Tiago Silva (në foto), Laivin Kurzaua, Erik Çupo-Moting dhe Sergio Riko. Gjithsesi, pa kaluar pak orë, shpërtheu “bomba”. Katër pjesëtarë të klubit, tre lojtarë dhe një i stafit teknik, dolën pozitivë pas analizave për koronavirusin. Emrat e të sëmurëve nuk u bënë me dijë, por gjithsesi duhet thënë se klubi kryqytetas i Francës duhej ta kishte mbledhur, ndoshta, më parë skuadrën, për të pikasur më herët gjendjen shëndetësore të lojtarëve. Në gusht do të luhet Championsi, ku PSG ka pretendime të mëdha, ndonëse nuk do të jetë e impenjuar në futbollin kombëtar, për shkak të anulimit të sezonit. Sidoqoftë, populli thotë “më mirë vonë se kurrë”, pra edhe për parizienët do të jetë leksion për herë tjetër.

Sfidanti.al