Sa më lart në FIFA, aq më poshtë në fushë

Prej vitesh tashmë jemi mësuar si të menaxhojmë emocionet dhe krenarinë për ngjitjen e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në shkallët më të larta të futbollit europian. Pas zgjedhjes në postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s dhe rizgjedhjeve të tij të vazhdueshme në krye të FSHF-së për herë të pestë, sot jemi në pozitat kur mund të ndezim fishekzjarre edhe për zgjedhjen e tij si anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s (Member Associations Committee) për një mandat katërvjeçar.

Ky komitet ka për qëllim të mbështesë federatat anëtare në zhvillimin e tyre institucional dhe teknik, si dhe në zbatimin e politikave të qeverisjes së futbollit. Asgjë e habitshme — madje, në një vend normal, kjo arritje mund të ishte edhe një motiv krenarie për gjithë komunitetin e futbollit. Por në Shqipëri situata ndryshon disi. Sot, në një nga momentet më kritike të futbollit në vend, kur kampionati është mësyer nga të huaj dhe reklamon shumë pak talente; në një moment kur Kombëtarja duket më e dobët se kurrë në fushë dhe në shkallë; kur loja në vend po njeh limite të padëgjuara më parë për shkak të nivelit mediokër, në mënyrë ironike po ngjitemi lart në FIFA.

Moskonsultimi real me aktorët dhe faktorët e lojës në asnjë vendimmarrje, dhe miratimi i çdo vendimi që del nga zyrat e “kullës së fildishtë”, ka eliminuar çdo mendim ndryshe për mënyrën e menaxhimit të shumë e shumë problematikave që nisën nga braktisja e stadiumeve dhe mbyllen me financat e kuqe të klubeve në çdo kategori. Gjithsesi, në fund të ditës ka pak rëndësi se çfarë loje luajmë në fushë, mjafton një titull apo një pozicion i lartë në UEFA apo FIFA që të gjithë të jetojmë të qetë e të lumtur.

Sfidanti.al