Dy futbollistët brazilianë të Newcastle United, Bruno Guimarães dhe Joelinton, përjetuan momente tensioni gjatë udhëtimit drejt Koresë së Jugut, ku do të bashkoheshin me kombëtaren e Brazilit për fazën e përgatitjeve para miqësores kundër Koresë. Dyshja ishte nisur drejt Seulit të martën, por avioni i tyre u detyrua të kthehej mbrapsht në Amsterdam pas zbulimit të një defekti teknik, një dritare e dëmtuar që mund të kishte rrezikuar sigurinë e pasagjerëve. Piloti ndërpreu fluturimin në mes të rrugës dhe bëri një U-turn emergjent, duke e kthyer aeroplanin në aeroportin e nisjes. Guimarães dhe Joelinton udhëtuan për rreth 12 orë në total, pa arritur pranë destinacionit të tyre. Tani, ata do të udhëtojnë me fluturime të ndryshme, me shpresën se do të mbërrijnë në Korenë e Jugut deri këtë të mërkurë pasdite.
Sipas medieve braziliane, Bruno Guimarães pritet të mbërrijë i pari, pasi do të marrë një fluturim lidhës përmes një shteti tjetër evropian, ndërsa Joelinton do të niset sërish nga Amsterdami. Kombëtarja e Brazilit, nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, ka planifikuar një seancë stërvitore në orën 16:00 lokale në “Goyang Stadium”, por Joelinton me shumë gjasë nuk do të arrijë në kohë. Pas ndeshjes miqësore ndaj Koresë, të premten, “Seleçao” do të udhëtojë 780 kilometra drejt Tokios për sfidën e së martës kundër Japonisë. Menjëherë pas saj, Guimarães dhe Joelinton do të përballen me një udhëtim rraskapitës prej 5.768 kilometrash për t’u rikthyer në Angli, ku do të kenë më pak se 48 orë pushim përpara ndeshjes së Newcastle kundër Brighton-it, më 18 tetor.
sfidanti.al