Juventus-Bayern, prova shkëmbimi

Në këtë fillim sezoni, fusha ka dhënë disa tregues të rëndësishëm për drejtuesit e Juventusit në lidhje me nevojat e ekipit për merkato. Një nga sektorët ku duhen bërë përforcime është pa dyshim ai i krahëve, ku skuadra ka pasur disa vështirësi. Në krahun e djathtë, vazhdojnë të luajnë të adaptuar Kalulu dhe McKennie, ndërsa në të majtën është Cambiaso ai që është bërë tashmë një element të pazëvendësueshëm. Kjo mungesë alternative ka shtyrë Juventusin të vlerësojë me shumë kujdes profilin e Raphael Guerreiro, mbrojtësit të Bayern Munchen.

Portugezi, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë në Gjermani, ka grumbulluar vetëm 70 minuta në 4 paraqitje në Bundesliga dhe është jashtë projektit të trajnerit Vincent Kompany. Kontrata e tij me Bayernin skadon në vitin 2026, por sipas raportimeve të Tuttosport, për momentin nuk ka shenja rinovimi. Në këtë situatë, drejtuesit bavarezë mund të preferojnë ta shesin që në janar, sesa ta humbasin falas në fund të kontratës.

Juventus, nga ana tjetër, është duke monitoruar ngjarjet dhe mund të shikojë në Guerreiro një zgjidhje ideale për të forcuar krahun e majtë. Por marrëdhënia  ndërmjet Bayern Munich dhe Juventusit mund të mos ndalet te Guerreiro. Përveç tij, drejtuesit e Juventusit do të monitorojnë me kujdes edhe situatën e Dusan Vlahovic, i cili mbetet i kërkuar nga gjermanët. Edhe pse është ende herët për të diskutuar mundësinë e një shkëmbimi me Guerreiro, Bayern nuk e ka hequr asnjëherë nga radarët sulmuesin serb. Duket se muajt e ardhshëm do të jenë të nxehtë për merkato-n e Juventusit, me Guerreiro dhe Vlahovic si dy figura kyçe të mundshme në një marrëveshje mes Torinos dhe Mynihut.