Julian Alvarez refuzon rinovimin e kontratës me Atleticon

Julian Alvarez duket gjithnjë e më larg Atletico Madridit. Sulmuesi argjentinas ka refuzuar ofertën për rinovim të kontratës që klubi madrilen i kishte vendosur në tavolinë, duke shtuar ndjeshëm zërat për një largim të mundshëm gjatë merkatos së verës. Sipas raportimeve, Atletico i kishte ofruar kampionit të botës një kontratë të re me përfitime prej 10 milionë eurosh neto në sezon, shifër që do ta kthente atë në një nga lojtarët më të paguar të skuadrës. Megjithatë, Alvarez nuk është bindur nga projekti i klubit dhe ka vendosur të mos japë ende “dritën jeshile”. Refuzimi i argjentinasit ka vënë menjëherë në lëvizje disa nga klubet më të mëdha europiane. Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Arsenali po ndjekin nga afër situatën dhe e konsiderojnë Alvarezin si një përforcim ideal për repartin ofensiv.

Në Madrid, ky zhvillim shihet si një goditje e rëndë për projektin sportiv të klubit. Drejtuesit e Atletico-s e shihnin Alvarezin si liderin e ri të skuadrës dhe figurën kryesore mbi të cilën do të ndërtohej e ardhmja e ekipit. Sulmuesi 25-vjeçar vlerësohet për lëvizshmërinë, instinktin për gol dhe eksperiencën në nivelet më të larta të futbollit europian, por duket se ambiciet e tij sportive janë më të mëdha se projekti aktual i Atletico Madridit.

Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se vendimi nuk lidhet vetëm me aspektin financiar. Alvarez dëshiron të jetë pjesë e një skuadre që lufton rregullisht për trofetë më prestigjiozë në Europë dhe që i garanton protagonizëm në skenën më elitare. Paris Saint-Germain konsiderohet aktualisht favoriti kryesor për transferimin e tij, falë fuqisë financiare dhe gatishmërisë për të investuar shuma të mëdha në sulm. Ndërkohë, Barcelona vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike, çka e bën operacionin shumë të komplikuar. Nëse transferimi realizohet, largimi i Julian Alvarez pritet të jetë një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës dhe mund ta detyrojë Atletico Madridin të nisë një revolucion të ri në repartin ofensiv.

sfidanti.al