Është bërë virale një video e trajnerit Reja që u bën thirrje tifozëve, sidomos atyre që nuk kanë ndonjë punë tjetër për të bërë, që të mbushin stadiumin në Elbasan, kur të luajmë me Andorrën. Në fakt, Edi Reja, akoma nuk e di të vërtetën e madhe se me Andorën mund të jenë pak tifozë, por ata kanë lidhje gjaku me Kombëtaren, sepse e kanë ndjekur edhe kur nuk e meriton.. Kur të ndeshemi me Francën, po të bësh censusin e popullatës , do të jenë trukuar si tifozë të gjithë ata që vijnë njëherë në shënllesh në stadium. Ky është iluzioni i përhershëm në ndeshjet e mëdha, ku bileta e stadiumit shduket dhe tjetërsohet sikur të jetë bileta e ..jetës! Edi Reja, edhe tani, vazhdon të bëjë thirrje për Andorrën, sepse ka frikë nga ajo që po ngjet dhe mund të ngjasë. Këtë herë kemi shumë arsye që mund të besojmë tek fabula e ferrës së vogël që fsheh lepurin e madh…
Por, më e bukura është se edhe Francën, altarin e futbollit të mbarë botës, e kemi shpërfillur për arsye “madhore”. Franca është halli i fundit, ngaqë kemi dy halle të tjera, halle sublime. A do të jetë gati stadiumi që të mos lemë nam ditën e ndeshjes? Dhe tjetra, që ka rëndësi jetike vetëm për “shefat biletashitës”: me sa milionë do të thyhet rekordi i arkëtimit nga biletat e stadiumit? Një rekord për të cilin duhet të falendrojmë edhe UEFA-n, që ndryshe nga gjithë stadiumet e botës, e dha lejen më parë se stadiumi të bëhej gati! Madje, ditën e ndeshjes se provës kur luajtën Vllaznia dhe Apolonia, edhe pse u gjetën femra që t’i rëndonin me delikatesë dhe ëmbëlsi fushës, u panë llokma fushe të shkëputeshin nga fusha. Dhe zyrtarët tanë, që u dukej sikur po i shlyenin zemrën, që thërrisnin nga tribuna: “ Mos vazhdoni lojën, vendosni plisat në vendin ku ishin…”
Sfidanti.al