Edhe pse Partizani kishte kohë që flinte me titullin në krevat, kjo javë do të kujtohet për disa përjetime të pazakonta. S’kishte ndodhur ndonjëherë që brenda një ditë, tamam në javën e parafundit, Partizani dhe Tirana të festonin fatin e tyre jashtë binarëve të historisë që kanë shkruar ndër vite. Të kuqtë në delirin e titullit pas një pritje maratonë prej 26 vitesh, ndërsa bardheblutë të festonin për një arsye më shqiptare…për të mbajtur frymën gjallë tek futbolli “i madh”. Do të kujtohet kjo javë edhe për lotët e trajnerit Devolli në ekran, që e penguan të bënte pyetje provokuese për çudirat që ndodhën në Laç, ku 3 penallti u humbën nga “mjeshtrat” e pikës së bardhë sipas versionit të lojës fëminore, kush bën poza më të bukura!
Kjo javë do të kujtohet dhe për “lojën” e shefave në tribunën Vip në “Selman Stërmasi”, ku, për herë të parë, skema e Partizanit ndryshon pamjen klasike ngaqë pranë presidentit Demi do të ulej presidenti Duka. Dhe sipas zakonit të “besës” në ditën e titullit, njeriu që zakonisht nuk mirëpritet nga populli i stadiumeve, fitoi lirinë për 90 minuta, një liri e dhënë me pikatore vetëm në fundin e kampionateve. Tamam një ditë e bekuar, sepse deliri është në qiell dhe inatet janë të ndaluara kur festohet..
Sepse po të ishte ndryshe, ku do ta gjente të drejtën morale presidenti Duka të lëshonte frazën pa themele se “ Partizani me fitimin e titullit, ndaloi edhe vorbullën që përfliste më shumë kampionatin”. Shefi i politikës na mësoi me kazanin, kurse ky i topit te lodhur, shpikësi i vorbullës në thelbin e lojës, krijon alibi për pronarin e vertetë të vorbullës. Sipas logjikës së presidentit të ‘”përjetshëm”, kur ekipet shpallen fituese e humbasin të drejtën e rebelimit, sepse ky është rregulli i vendosur ndër vite, një rregull që nënështron me solemnitet ekipet tona. Me këtë rast, le të kujtojmë disa fjalë të rralla, më të sinqertat që mund të ketë thënë ndonjëherë shefi ynë veteran, tamam në ditët e para kur u ngjit pas fronit: “ Janë kaq të varfër njerëzit e futbollit, sa me ta mund ta vërtitësh lojën si të duash..”
- Sinemati