Pyetja 1 milion :  Sikur pas Ceferinit, të ishit ju zoti Duka ?

Ç‘ishte kjo që na ndodhi në intervistën e fundit me shefin.  Gazetari i paska bërë një pyetje jashtë skenarit presidentit Duka  dhe ai paska thënë se..nuk e priste këtë pyetje! Po ç‘ishte kjo dreq pyetje që paska gjetur të “papërgatitur”  mjeshtrin e lojës së vjetër pyetje-përgjigje. E paskan pyetur me “djallëzi”, nëse një ditë mund të bëhet i pari  i UEFA-s, pasi  Ceferin deklaroi se nuk do të jetë më në garë për mandatin tjetër.

Sa do të donim t’i besonim fjalët, që nxorri nga zemra dhe jo nga goja presidenti, por ai vetë na ka stërvitur që të mos e besojmë. Ja përgjigja e tij : “ Nuk është një  lajm që më gëzoi, që presidenti Ceferin nuk do të rikandidojë. Asgjë nuk e pengonte të vazhdonte…”

Si nuk e pengonte asgjë! O zot, na e  ruaj shefin se kur flitet për fron, edhe jashtë kufinjëve,  etja i cënon edhe shëndetin mendor. Po Zvonimir Boban që e damkosi  botërisht egon e tij, duke braktisur majën e UEFA-s,  nuk e pengoi?! Po Federata angleze, që doli hapur kundër rikandidimit të Aleksandër Ceferinit, a mund të snobohet kaq banalisht. Dhe nga cili?  Nga  presidenti i një futbolli që ka vdekur praninë dhe besimin  e tifozëve …

Sfidanti .al