President, u plake në fron, pse ia “dhurove” De Biazit sekretin..

Edhe i shkarkuar , edhe i privilegjuar të marrë me vete   emrin sekret te pasuesit të tij në stolin e Kombëtares. Siç duken bathët, brënda paketës për largimin me “lavdi” të Xhani De Biazit  nga Shqipëria,  ku spikasin paratë që do të jepen një më një dhe  dekoratat që nuk do të mungonin deri në ditën e fundit shqiptare, qënka edhe një “bizhu e rrallë”.  Sapo ka mbërritur në Itali, De Biazi , kur është pyetur për trajnerin që do ta pësojë në stol, ka dhënë këtë përgjigje, të padëgjuar në këto 16 vite nga goja e një trajneri në ikje:

“ Unë e di se cili do të jetë trajneri, por nuk është mirë që ta them para kohe. Do të jetë Italian..”.  Këto fjalë vlejnë si një dorezë boksi në fytyrë  për ata që thonin  se De Biazi dhe presidenti Duka, sa për sy e faqe, i buzëqeshin  njëri -tjetrit kur pozojnë për popullin naiv kuqezi.  Në versionin e futbollit modern, ku hipokrizia dhe interesi shkrihen mrekullisht në dëm të moralit, dyshja e fronit e qau edhe serinë e fundit të “Romeo dhe Xhulietës”.  Ndryshe nga ç’pritej, nuk vdiq askush nga të dashurit,  por vetëm e vërteta e kulluar, atë që shpresonin ta dëgjonin nga  nga italiani me “gojë pa frena”.  Tani, si për të shtuar hallet,  s’do të jenë të  paktë ata që do të pyesin me zemër gati për trinitrinë : mos është plakur në fron presidenti Duka, kur popullit të Kombëtares nuk ia tregon emrin e trajnerit, madje e ka shndërruar në fjalëkryq tallës, kurse i huaji i shkarkuar dhe i tradhëtuar, me emrin De Biazi, e paska në “xhep”,  dhe nuk e nxjerrë as në atdhe, se ka  dhënë “besën”  tek kampionët e pabesisë…

Sfidanti.al