Ishim mesuar ndryshe kur klube dhe presidentë i dëgjonim të shkrofëtinin sipas një kalendari të mirëmenduar të gabimeve arbitrare, disiplinore etj, te cilet prej muajsh prehen në qetësi.. gjoja letargjike. Jo vetëm kaq, por ndonjë syresh me shumë dëshirë do të pranonte dhe të quhej “ish i përndjekur politik” me shpresën e ndonjë kompensimi të përshtatshëm nga federate për periudhën e persekutimit. Po qershia mbi tortë është krijimi (ose më saktë gjysëm-krijimi) së fundmi i të shumë përfolurës dhe shumë të zvarriturës ligë profesioniste. Profetët e ligës argumentojnë se erdhi dita kur klubet do t’a marrin vetë në dorë fatin e kampionatit të tyre dhe sundimi i shumëlakuar i federatës tashme i përket të kaluarës.
Po ç’ka ndodhur keshtu? Mos ndoshta vallë Zeusit i mbaruan rrufetë? Apo po shplodhet nga sezoni i kaluar që helbete pati dhe zgjedhje me shume mekate? Mos më në fund të paudhët i vrau ndërgjegja dhe paudhesive ju erdhi fundi?! Apo ndoshta vallë presidentët dhe drejtuesit e klubeve u dashuruan papritur me filozofinë e rezistencës dhe marrjes së pushtetit nëpërmjet gandizmit se.. Ligës?!
Shumë përgjigje mund të sajohen po të vjetrit në punët e futbollit tonë që e kanë mësuar mirë se gjithmonë ka një “lepur” tani po pyesin me shumë kërshëri dhe ankth se ku vallë po fle “lepuri” i zakonshëm këtë radhë? Mister i vërtetë, po një hamëndje edhe mund të jepet xhanëm.
Qetësia dhe harmonia e papritur në Superioren tonë ka të ngjarë të ketë ca lidhje me datën në dukje të zakonëshme 7 Shkurt 2019. Po ç’përbën kjo datë do pyesnin shumë? Asgjë supersticioze dhe të jashtëzakoneshme në fakt. Po prapë kjo është një datë që mund ta ndajë sezonin futbollistik 2018-2019 të Shqipërisë në dy pjesë shumë të ndryshme me njera tjetrën. Pjesa e parë do të ishte ajo që kemi parë deri tani dhe po luhet me 10 skuadra pjesëmarrëse në Superiore. Kurse pjesa e dytë mund t’i ngjajë shumë atyre që kemi parë rëndom këto shumë vitet e fundit. Ajo mund të luhet me një skuadër më shumë, pra me njëmbëdhjetë, ku ajo që do shtohet është posaçërisht e ndërtuar me arbitra, punonjës të sektorit të garave, të drejtësisë sportive, etj etj. Ajo qe ndodhi me Flamurtarin këtë javë kur me “magji te zezë” u shnderrua ne humbes dhe Kukesi ne fitues, dhe kjo per merite te padiskutueshme te arbitrave, tingellon si kambane e fillimit te ..”dasmës” me pak te ftuar
Në 7 Shkurt zhvillohen zgjedhjet e pjesëshme për Komitetin Ekzekutiv të “mama” UEFA-s. Në këto zgjedhje rikandidon me zemërim dhe me dëshirën e pashuar për hakmarrje dhe presidenti tashmë veteran i federatës tonë. Këto zgjedhje duhet të fitohen me çdo kusht për të provuar se për udhëheqës të kalibrit … humbja nuk është një opsion. Dhe qe humbja të mos jetë një opsion duhet që këtë radhë të kurohet me kujdes çdo aspekt dhe të mos përsëriten më gabimet që u bënë dy vite më parë.
Sepse midis te tjerash, dy vite më parë pati intrigantë dhe qaramanë që me paburrëri morën inciativën të dërgojnë në UEFA dhe më gjërë letra ku nuk flitej edhe aqë mirë për arkitektin e fitores së Francës. Natyrisht që këta mistreca e gjetën frymezimin tek ca gabime arbitrare të dy-tre sezoneve të mëparëshme. Po ato jo vetëm që ishin gabime njerëzore por ndikimi i tyre në fund ka qënë me dorë nikoqire : vetem për tre vëndet e para dhe dy vëndet e fundit të Kampionatit! Per pak harruam dhe fituesin e Kupës. Jo më shumë se kaq. Po a mund të akuzohet Presidenti për cingërrima të tilla?! Aq më tepër kur kandidon për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFAs që është një lloj çmimi “Nobel ne FairPlay”.
Sidoqoftë, ka të ngjarë që çunat e kanë kuptuar mirë që për votimet e kësaj here duhet të mos krijohet asnjë rrethanë që mosmirënjohësit të bejnë ankesa të ngjashme. Sepse ndodh që ndonjë budalla dritëshkurtër në UEFA këto lloje thashethemesh edhe e lëkundin që të mos na e votojë Presidentin. Plani pra është që t’i lëmë mosmirenjohesit e përhershëm të shohin ëndërra me tituj kampionë dhe kupa Shqipërie. Të tjerët të presin deri në 7 Shkurt. Me ëndërrat e tyre do të merremi pas fitores. Kohë në dispozicion kemi boll. Në fund të fundit e dinë të gjithë që historinë e shkruajnë fituesit.
Sfidanti.al