Gjëja më e rëndësishme që i mungon aktualisht futbollit në Shqipëri, madje më shumë se edhe vetë rrotullimi i topit, është Komisioni i Disiplinës, ajo shkolla e riedukimit, e cila kishte në pronësi edhe një bllok të madh të mbushur me nene, shumë më të trashë se kodi penal i Republikës. Flitet për një gjykatë special që i shërben me devotshmëri federatës, e cila javë pas jave dënonte masivisht tifozët dhe gjobiste klube, aq sa tani pothuajse ia kanë arritur qëllimin final, duhet pritur vetëm ndonjë derbi, për të parë të luhet një ndeshje futbolli me publik. Politika ka qenë e qartë, për çdo stol të shkulur nga dikush, fjalë të lëshuara nga gojë pa fre, apo për çdo baner me përmbajtje të pamiratuar, duhen dënuar qytete të tëra, madje pa bërë asnjë seleksion, qoftë edhe për hir të historisë së tyre futbollistike. Anëtarët e këtij komisioni na janë shfaqur me korrektësi çdo të mërkurë, si të ishin gjahtarë shpërblimesh, duke deklaruar fajtorë të përjashtuar dhe çdo operacion mbyllej me flera gjobash ku ishte e shënuar me delikatesë një shifër e vogël, gjithmonë e ndjekur nga disa zero.
A e mbani mend atë banderolën e famshme në stadiumin “Flamurtari”, ku shkruhej: “Pulave u ka hije të kakarisin vetëm në kotec”? Nuk ishte fyerje me fjalë të rënda, veçse ironizohej fabrika e vezëve në pronësi të shefit të FSHF-së, por për këtë e gjithë Vlora e futbollit u dënua me katër ndeshje pezullim. Ndërsa përpara dy ditësh, vetë presidenti, njëkohësisht edhe mësuesi i madh i edukatës morale të futbollit, përdori në publik një zhargon të ngjashëm me të atyre që flakin bidona uji, pështynë fara luledjelli, apo kafshojnë hekurat gjatë një ndeshje. Ndërsa tani është koha të presim ditën e mërkurë për Komisionin të Disiplinës, se çfarë vendimi denigrues do të marrë për Dukën, pasi iu drejtua një figure publike pa asnjë normë etike dhe morale. Ose për ta thjeshtuar pyetjen, nëse për krimin se u përfolën pulat e presidentit, u dënua 4 javë e gjithë Vlora, sipas nenit 26, paragrafi b, çfarë ndëshkimi meriton kur i drejtohesh “qen” zv/kryeministrit të Shqipërisë?
sfidanti.al