Sepse na u kujtua një anektodë me një president të Superligës, fill pas ndeshjes me Spanjën, ku humbja u pagëzua e bukur, pasi në pjesën e dytë i gjalli dhe i vdekuri ndërruan rolet në mirëkuptim. Presidenti i një klubi u kishte thënë futbollistëve të tij, para ndeshjes, disa fjalë muzeale, të padëgjuara më parë: “ Po pësuat 3 gola, përgjegjësia është imja. Nëse pësoni edhe golin e katërt, atëhere gjeni vend dhe futuni..” As nuk besojmë se Spanja ndaloi tek goli i tretë për ndonjë arsye madhore, por, prapëseprapë, të gjithë u habitën me kthesën e papritur në timonin e lojës, kur Isko me shokë treguan klas edhe në bamirësi. Një sjellje xhentilmenesh me top, që kërkon më shumë mirënjohje nga tanet , tejet kampione nga një brez futbollistësh, të cilët treguan haptazi se nuk do të dëshironin të hapnin një plagë të madhe në portën tonë. Këtë e zbuloi edhe trajneri spanjoll Lopetegu, kur fill pas ndeshjes bëri një qokë çoroditëse, sa deklaroi “ keni një trajner të shkëlqyer si Panuçi”. Çfarë fati kanë trajnerët e huaj, sidomos italianët kuqezi, ngaqë edhe kur humbasin me 3 gola, nuk mbetemi pa e merituar qoken edhe si humbës. Ndaj edhe logjika që ngushëllon median e shefit të madh është mbresëlënëse: në krahasim me humbjen 0-3 të De Biazit me Spanjën, kjo e Panuçit, është për t’u puthur. Me Xhanin nuk na lanë të preknim topin dhe të kalonim mesin e fushës, kurse me Kristianin na nxinë jetën vetëm 45 minuta, pastaj në të dytën, sikur na thanë: ‘ Tani luani ju, shkoni deri tek shtyllat, por mos guxoni të bëni gol..”
Dhe u zbukurua aq shumë ekipi ynë në pjesën e dytë sa dikush kishte patur përshtypjen se këtë herë ndodhi mrekullia e rrallë, pasi i vodhëm “bankën” spanjolleve, kur bënin tiki-taka mu para syve të tyre. Kurse Starova, ish-traneri i Partizanit, kritiku më stoik i ish-trajnerit De Biazi, ka përjetuar momentin fatlum, kur në mes të një humbjeje të “sukseshme”, ka zbuluar njeriun që ktheu fletën e historisë. Ai që në prag të ndeshjes me Italinë betohet, në emër të nderit të profesionit se është më shumë shqiptar sesa italian, se kur ka qënë futbollist ka dhënë shpirtin për të mbrojtur portën e Italisë, por si trajner i shqiptarëve do të donte të hynte edhe ai vetë në portën e tyre. Sepse një fitore ndaj Italisë, do të ishte si një gur që vret dy zogj: do t’u mbyllte gojën atyre që dyshojnë se akoma është “nxënësi i Kapelos” dhe ka ardhur me mik në stolin tonë, dhe tjetra, shqiptarët do të fillonin të shkulnin nga zemra De Biazin, “fantazmën” që flet rregullisht sikur të mos ishte larguar nga stoli..
Gezim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport