O Veting, dëgjo UEFA-n për policinë e prokurorinë shqiptare!

Një nga pikat më interesante të raportit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s, për dënimin e Skënderbeut, ishte ai lidhur me policinë dhe prokurorinë shqiptare. Edhe pse UEFA “trokiti” në Shqipëri dhe kërkoi bashkëpunim me autoritetet për të hetuar siç duhet Skënderbeun, ajo “foli në vesh të shurdhër”. Bashkëpunim nuk pati, aq sa UEFA u detyrua të vazhdonte e vetme.

Hetimi është 7-vjeçar, pra ka nisur që në 2011, ndërsa policia ka qenë edhe “blu”, edhe “mavi”, pra edhe e drejtuar nga PD-ja, edhe nga PS-ja, por që të dyja palët, mesa duket, kishin lidhur “besabesën” për të mos e tradhëtuar Skënderbeun, a thua se po bëhej fjalë për imazhin e Heroit Kombëtar dhe jo për një klub futbolli. Sa për prokurorinë, ajo ka qenë thuajse e njëjta.

Menjëherë, të shkon në mendje, që të lëshon një britmë: “O Veting, dëgjoje UEFA-n se çfarë thotë për policinë shqiptare, atë që pak kohë më parë vlerësohej si “institucioni që gëzonte besimin më të madh të publikut”. Veting, ti duhet ta dish se ne shqiptarët shqetësohemi më shumë nga kjo “palo polici” jo thjesht sepse nuk bashkëpunoi për disa ndeshje të trukuara, por sepse nuk bashkëpunoi (apo bashkëpunoi në krahun tjetër) për të zbuluar mbjelljen masive të vendit me kanabis”!

Jo, nga një polici e tillë nuk pritet bashkëpunim, por duhet Veting, veçse jo veting nga Ministria e Brendshme, por nga organet jashtë saj, ashtu siç bëri UEFA me Skënderbeun, duke pajtuar agjenci dhe ekspertë të pavarur. Sa për prokurorinë shqiptare, Vetingu, le të dëgjojë fjalët e ambasadorit amerikan, Lu!

Së fundi, nuk e dimë nëse Vetingu do të ketë dyshime edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit, ndonëse UEFA nuk ka thënë ende gjë për të!

Sfidanti.al