Gjashtë herë kampion, Bonuçi për herë të parë “armik” në Torino

Nëse nuk do të ishte larguar verën e kaluar, sot e kësaj dite do të quhej një nga heronjtë e pashuar të historisë së Juventusit. Jeta, për fat të keq (apo të mirë) shkoi ndryshe dhe më në fund, Leonardo Bonuçi do të shkelë për herë të parë si kundërshtar në Torino. Fanela në trup do të jetë ajo kuqezi e Milanit, ndërsa nga tribunat e stadiumit “Juventus” me shumë gjasa do të shpërthejnë vërshëllimat e koret “anti”.

Nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht, edhe për tifozët më të çmendur juventinë. Bonuçi fitoi 12 trofe në 7 vjet, nga të cilët 6 tituj kampion, dhe ishte një nga “shtyllat” e mbrojtjes bardhezi, së bashku me Kielinin e Barxalin (BBC), si dhe me Bufonin në portë. Ai ishte i pari që dilte në nxemje përpara ndeshjeve, sapo nisnin tingujt e këngës së pavdekshme të ACDC-ve, “Rrufeja” (Thandërstrak – Thunderstruck).

Vitet e Bonuçit tek Juvja ishin, për aq sa zgjatën, të ngjashme me vargjet e këngës së Xhovanotit, “spektakli më i madh pas Big Bengut”, siç thekson “La Gazeta delo Sport” në profilin që i mbrën mbrojtësit të hekurt përpara sfidës së sotme në orën 20:45, për Serinë A.

Lidhja e futbollistit me Torinon mbetet e fortë edhe pas kalimit tek Milani. Leo nuk ka shtëpi në kryeqendrën lombarde, atë që ia dhanë, e braktisi shpejt. Në qytetin e vjetër ka lënë familjen, pasi fëmijët janë në shkollë dhe babi nuk deshi t’u prishte ritmin e stabilizuar të jetës. Një herë në javë, ai shkon të takojë gruan e “kalamajtë”, ndërsa në Milano ose fle në hotel, ose pas ndeshjeve shkon e fle në Milanelo, për të qenë gati për stërvitjen e mëngjesit.

Kthimi i sotëm, përballë ish-ekipit të tij, do të jetë i vështirë dhe emocionues. Ndoshta, Leonardo Bonuçi, do të takojë me mall shokët e tij, Bufonin, Kielinin, Barxalin e Markizion, me të cilët ka mbajtur lidhje të forta. Me shumë gjasë, pas takimit, do të marrë leje për të darkuar bashkë me ta, në restorantin e tij të preferuar, “Frateli Bravo”, të cilin e punojnë miqtë e tij, vëllezërit Ruxhero e Diego.

Sfidanti.al