Larg qoftë hamendësimi që do të guxojmë të bëjmë.. Sikur një ditë presidenti Armand Duka të largohet nga froni i “mbretërimit absolut” të futbollit, enigma më hallemadhe do te ishte: cili mund të ishte pasuesi i tij në fron. Pyetjet do të kishin lloj-lloj formash : si mund ta kishte emrin, nga cili vend do të zbriste, do ta gjenim brenda kufirit apo nga jashtë, biond apo esmer, sa i gjatë do të ishte, a do të ishte dot më i bukur se “mbreti” që kemi, po numrin e këmbës sa do ta kishte?! Për fatin tonë të keq, edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve i ditka vetëm “mbreti”, zoti Duka, ai që po përgatitet ta kalojë fronin e futbollit në një trashigimtar të besueshëm për vete dhe të pabesueshëm për shumicën ..siç e meritojmë!
Këto ditë u mbajt Asambleja Statutore e FSHF-së lidhur me zgjedhjen e presidentit. Nuk ka hall më të madh në botë, kuptohet për botën shiqtare të topit, sesa ai që lidhet me përjetësinë e presidentit Duka në fron ,ngaqë jemi të paaftë ta tradhëtojmë despotin pas 20 vitesh. Asamblistët, ata që e kanë fituar me punë e vepra nofkën “dora në allçi” kanë votuar së bashku kriteret në zjedhjen e presidentit të ardhshëm. Kjo që do të dëgjoni, është një “mrekulli” tjetër pas asaj që kurdisëm me bojkotin 8 javësh: “ Të jetë shtetas shqiptar dhe me banim të përhershëm në Shqipëri. Presidenti nuk duhet të jetë apo të ketë qënë deputet, apo drejtues i ndonjë Partie Politike në ..5 vitet e fundit”.
O zot sa e bukur! E ktheu futbollin në një parti me top të shpuar, ku futbollistët e Kombëtares janë kapur gjallë ndër vite disa herë duke bërë fushata politike, kurse vetë në ditët e bojkotit as nuk ia ndjeu fare kur tha publikisht se “nëse zoti Rama aprovon 4 kërkesat tonë ekonomike, i gjithë futbolli, i madh dhe i vogël, do të votojë për PS-në”.
S’qënka e mjaftueshme që kemi 20 vite që durojmë një lojë tollovitëse futbolli, ku skenën e teatrit e ka zaptuar vetëm njëri, pra vetë zoti Duka, i cili i moleps të gjitha çka loja e fushës …penalltitë, goditjet e dënimit , kornet , madje edhe topat kur dalin jashtë fushe….nuk ka kush t’i kap tjetër. Kjo që ndodhi në Asamblenë e fundit, detyrimisht të shpon një pyetje: nëse presidentin e futbollit nuk u bëkan dot as Igli Tare as Besnik Hasi, politikanet jo e jo, të paktën na trego cilin ke bërë brenda “vezës së artë”, që do të luajë rolin e “mbretit”, të atij mbreti që do të kurdiset drejt së ardhmes, ngaqë ju nuk jetoni dot pa “qumështin bio” të lopës së futbollit…
Sfidanti.al