Secili në orbitën e vet, të gjitha rrugët të çojnë në një drejtim, një drejtim që favorizon më shumë dhunën sesa ..antidhunën! Fill pas ndeshjes Bylisi-Laçi, ku dhuna me grushte shkaktoi gjak në fushë dhe frikë në ekran, sidomos kur shikoje kokën e gjakosur te zv.trajnerit Bekim Kuli, ka nisur avazi i vjetër për të “dënuar” dhunën.. kjo damlla që na është qepur e s’na ndahet, kjo flamë që.. “cënon vlerat e futbollit tonë”.
Për Laçin mund të thuhet se ka kapërcyer edhe orbitën e vet tradicionale ,kur ka bërë një kthesë “alla Formula 1” në pistën e disiplinës, kur , pas ndeshjes, pa humbur kohë, ka dënuar pa afat kryerebelin Nuabueze. Ajo që panë sytë me frikë dhe shpirti me zhgënjim , është ajo që kemi vite që nuk e fshehim dot e as nuk e luftojmë dot ! Dhuna, për të cilën predikonim se ka vdekur ne Superligë dhe gjendet vetem ne kategoritë e poshtme te “zgafellit” , e hoqi maskën për t’u shfaqur në formën e plotë, me pamjen e saj primitive të sherrit masiv në fushë!..Dhe kur? Tamam në kohën kur të gjithë besonin se rreziku më i madh është pandemia dhe jo ..dhunëmania! Po çfarë do të sajojmë tani? Kur kishim tifozet në stadiume, krenoheshim se dhuna nuk kishte”lidhje gjaku” me futbollistet, por me..popullin tek shkallët e stadiumit.
..Secili në orbitën e vet, të gjitha rrugët të çojnë në një drejtim të panjohur për futbollin, por shumë të njohur për habitatin e lojes sonë! Laçi dënon sulmuesin e vet, Nuabueze, kurse futbollisti i Laçit, Mazrekaj, nga ekrani i televizionit dënon vetëm arbitrin dhe jo shokun e tij.. flamurtar të boksimit ne fushë.
“ Arbitri nuk e gjykoi mirë ndeshjen, ndaj lojtarët e Bylisit morën zemër dhe bënin ndërhyrje të forta, të ashpëra dhe provokuese..” Duket sikur është një tjetër Mazrekaj nga ai që njohim prej vitesh, por, për fatin e keq, futbollistët tanë kur ndryshojnë ekipe, ndryshojnë edhe mendime! Kështu, në “pafajësinë e vet” Mazrekaj beson se futbollistët e Bylisit morrën zemër nga pabythësia e një arbitri liliput , duke harruar faktin kokëfortë se arbitrat mund të lodrojnë me viktimat çdo javë, por me Laçin kanë një lloj bese, një lloj frike…më shumë sesa besë!
Sfidanti.al