Në pamje të parë ia arritëm qëllimit. Shqipëria mori një pikë në fushën tradicionalisht të vështirë të Maqedonisë, forcoi pozitat në vendin e tretë në grupin e Botërorit dhe thuajse shmangu plotësisht një nga rivalët. Trajneri Kristian Panuçi doli i pamposhtur edhe nga ndeshja e tij e dytë, por besohet as vetë italiani nuk mbeti plotësisht i kënaqur.
Pavarësisht se kombëtarja kaloi e para në avantazh, pra mundej edhe t’i kishte marrë të tri pikët, sërish loja e saj nuk bindi. Maqedonasit dominuan sidomos pjesën e parë në stadiumin e vogël të Strumicës, duke kontrolluar lojën e duke zotëruar mesfushën. Pavarësisht nga premtimi i Panuçit se do të luhej me guxim për fitore, në 45 minuta, kurajoja e kuqezinjve nuk u duk, besohet jo vetëm për dobësi të tyre, por sidomos për meritë të maqedonasve.
Me shumë motiv për të fituar përballë tifozëve të tyre besnikë, dhe pas fitores së rëndësishme në Izrael, vendasit luftuan fort, edhe pse nuk i kishin cilësitë për të na befasuar. Pjesa e dytë ishte disi më ndryshe, pra u duk autokritika. Lëvizshmëria e Sadikut dhe aftësia e Roshit na kaluan në epërsi, dhe në disa minuta radhazi u pa Shqipëria e vërtetë.
Memushaj e Sadiku mund ta kishin thelluar avantazhin, gjë që do ta kishte bërë fitoren të sigurt. Gjithsesi, në fushë nuk ishte vetëm kombëtarja jonë, por edhe kundërshtari. Aq më tepër, Shqipëria e Panuçit nuk mund të ishte shumë më e ndryshme nga ajo e De Biazit, pasi fantazinë dhe talentin i ka me pikatore, ndërsa më shumë bazohet tek kolektivi, shpirti i garës dhe disiplina taktike.
Kjo bëri që Maqedonia të mbante më shumë topin, të ishte më pranë portës sonë dhe logjikshëm të arrinte të paktën barazimin. Një penallti që edhe jepej, edhe nuk jepej ndihmoi rivalët, që gjithsesi, nuk meritonin të humbisnin. E rëndësishme është që ky ekip ka mësuar të vuajë së bashku, që nga portieri Etrit Berisha, e deri tek sulmuesit Llullaku apo Sadiku.
Me shumë gjasa, vendi i tretë, maksimumi ynë në këtë grup, është thuajse i arritur, ndërsa shqiptarët tani kanë luksin të luajnë pa presion në dy ndeshjet e fundit, vërtet të mëdha të grupit, ndaj Spanjës dhe Italisë. Nëse marrin qoftë edhe një pikë, do të jenë edhe më shumë në histori.
Sfidanti.al