Penallti budallaqe vendos finalen e Kupës! Pse çfarë fund-filmi meritonim…

Edhe një finale tjetër e cila mban damkën  e arbitrave!  Po të kujtosh se çfarë ka ndodhur gjatë sezonit dhe lartësinë e mëkatit ku u ngjitën arbitrat, ajo që ndodhi në finalen e Kupës, midis Skënderbeut dhe Laçit,  ishte fundi i filmit që meritonim. Një penallti e ngarkuar  me dyshime,  në favor të Skënderbeut, ka bërë që arbitri Hamiti dhe  ndihmësit e tij të dilnin të blinduar nga policia , duke shmangur ritualin fatal, ku arbitri goditet si në rastin e Klajdi Kolës me peqinasit.  Skena e penalltisë ishte më shumë imagjinare, sesa reale, ku sulmuesi Xhejms ndodhej jashtë zone, kurse “Hamitët”  apo “komitët” e komanduar kanë zonën e tyre ku gabohet pa frike dhe pa pendesë.

Sa herë që ekipet nuk gjejnë gjuhën e kompromisit për ta bërë ndeshjen e Kupës si vendin ideal për dashurinë e fundsezonit, në skenë futen arbitrat për të dhënë “verdiktin”, duke forcuar paranojen se në ndeshjet për trofe, ata janë të parët, pastaj vijnë futbollistët. Një vit më parë, tamam si në një skenë masone me aktorë futbolli, Skënderbeu bëri një rreth proteste me futbollistë, bashkë me trajnerin, kur arbitri i ndëshkoi thellë, madje i fshikulloi me bilbil. Këtë herë ishte ndryshe. Ndodhi sipas zakonit të preferuar, ku Skënderbeut i duket i bukur arbitri Hamiti, pale vendimi i tij me vale 11 metra, kurse futbollistët e Laçit u “emancipuan” se edhe ata mund të tradhëtohen pa i patur frikë, sidomos kur mendon se ndeshja nuk është në qytetin ku “bilbilat”… nuk e nderpresin vrapin edher pas ndeshjes!

Sfidanti.al